Tiranë, Shqipëri | Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti në takim zyrtar komandantin e Komandës Supreme të Aleatëve në Evropë, gjeneralin Kristofer G. Kavoli (Christopher G. Cavoli), i cili, ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare.
Gjatë bisedës me gjeneral Kavolin (Cavolin), presidenti Begaj i përcolli komandantit suprem të Aleatëve në Evropë mirënjohjen për punën e kryer si SACEUR në mbrojtjen kolektive, si edhe për nxitjen e bashkëpunimit rajonal përballë sfidave të reja me synim ruajtjen e paqes dhe sigurisë në zonën Euroatlantike dhe në arenën ndërkombëtare.
Presidenti Begaj vlerësoi ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, rritjen e bashkëpunimit me aleatët e NATO-s, të bazuara në angazhimet e përbashkëta dhe vizionin e vendit tonë për të rritur sigurinë transatlantike dhe për të forcuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, presidenti Bajram Begaj theksoi gjatë bisedës me gjeneralin Kavoli (Cavoli) ambiciet e Shqipërisë për të rigjallëruar industrinë e mbrojtjes, nismat dhe investimet e ndërmarra, si edhe ofrimin e Porto Romanos si bazë e NATO-s.
“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është shumë i rëndësishëm dhe e vlerësoj shumë rolin që luan Komanda Evropiane e SHBA-së në nxitjen e bashkëpunimit tonë dhe mbështetjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, tha presidenti Begaj.
Gjatë takimit u bisedua për forcimin e partneritetit strategjik, në një kohë, të cilën presidenti Begaj e konsideroi si të paprecedentë për sigurinë, duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Këto konflikte kanë ndikimin e tyre negativ edhe në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën”, tha presidenti Begaj, i cili theksoi se Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve të Forcave të Armatosura për planin kombëtar të mbrojtjes, atë rajonal të paqes, sigurisë dhe stabilitetit, si dhe mbrojtjes kolektive në përputhje me modelin e Forcave të NATO-s.
Një mirënjohje të veçantë Presidenti Begaj përcolli për punën e kryer nga KFOR-i në Kosovë, duke shprehur njëherazi mbështetje ndaj këtij misioni për sigurinë në Kosovë dhe rolin si garantues për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments