Tiranë, Shqipëri | Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti në takim zv/sekretarin e përgjithshëm të Fondacionit “Konrad Adenauer”, Dr. Gerhard Wahlers, i cili shoqërohej nga drejtori i këtij fondacioni në Tiranë, dr. Thomas Kunze.
Presidenti Begaj i përcolli z. Wahlers mirënjohjen për ndihmën që Fondacioni “Konrad Adenauer” ka dhënë për Shqipërinë ndër vite, për kontributin për një shoqëri të drejtë, promovimin dhe ruajtjen e demokracisë, sistemin e drejtësisë, për nismat e edukimit politik, si dhe kodin zgjedhor (elektoral).
“Gjermania mbetet mbështetëse e madhe e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha presidenti Begaj.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet strategjik i Shqipërisë, por mendoj se zgjerimi i Unionit në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi strategjike edhe për vetë Unionin”, tha presidenti Begaj.
“Kujdesi i veçantë që Fondacioni ‘Konrad Adenauer’ tregon ndaj kujtesës historike të Shqipërisë, nisur edhe nga eksperienca gjermane, është një shembull shumë i drejtë për të mos lejuar përsëritjen e gabimeve të së shkuarës”, tha presidenti Begaj.
Presidenti Begaj vlerësoi përkrahjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit, si dhe rolin proaktiv në mbrojtjen dhe mbështetjen e perspektivës së Shqipërisë në Bashkimin Europian, nga Republika Federale e Gjermanisë, me të cilën, Republika e Shqipërisë ka raporte të shkëlqyera politike dhe ekonomike.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments