Tiranë, Shqipëri | Presidenti i Republikës, së Shqipërisë, Bajram Begaj, nisi sot vizitën shtetërore në Letoni.
Kryeqyteti letonez, Riga ishte ndalesa e parë e tij në Republikat Balltike.
Kjo është dhe vizita e parë shtetërore e një presidenti të Republikës së Shqipërisë që ndërmerret në tre vendet balltike: Letoni, Estoni dhe Lituani.
Në pritjen e organizuar për nder të presidentit Begaj, merrnin pjesë presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, kryetarja e Parlamentit, Daiga Mieria, kryeministrja Evika Siliņa, si dhe përfaqësues të tjerë të shtetit dhe qeverisë letoneze.
Presidenti begaj zhvilloi fillimisht një takim kokë më kokë me homologun e tij, presidentin Rinkēvičs, të cilin e falënderoi për pritjen, duke e cilësuar si një moment për të forcuar dialogun politik të shkëlqyer mes dy vendeve mike që ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështjet rajonale dhe globale.
Presidenti Begaj shprehu përkushtimin e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
Presidentët e dy shteteve biseduan për rritjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike, duke përfshirë investimet direkte, turizmin, shkëmbimet tregtare, arsimin dhe kërkimin shkencor.
Në këtë aspekt, u propozua vendosja e një linje ajrore direkte të përhershme, e cila do të sjellë afrimin mes dy vendeve, rritjen e fluksit të shkëmbimeve dhe të turizmit.
Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e Letonisë përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, dhe u shpreh se, me përparimin e jashtëzakonshëm në përafrimin me standardet e BE-së, Shqipëria shpreson për një rrugë të qartë dhe të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u konsiderua në takim si një rrugëzgjidhje përballë influencave të palëve të treta të shtuara me agresionin rus në Ukrainë dhe si një mundësi për të nxitur stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Letonisë për kontributin në rajon, duke theksuar praninë e trupave në kuadër të KFOR-it dhe mbështetjen ndaj Kosovës për integrimin euroatlantik.
Në takimin presidencial u diskutua për sfidat e reja me të cilat Shqipëria dhe Letonia përballen si aleate në NATO dhe në këtë aspekt u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Shqipëria - tha presidenti Begaj - mbetet në solidaritet me Letoninë me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s në Adazi”.
Biseda kokë më kokë mes presidentëve Begaj dhe Rinkēvičs u pasua nga takimi i zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve përkatëse dhe më pas krerët e dy shteteve zhvilluan konferencën e përbashkët për mediet.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments