
Mirditë, Shqipëri | Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ishte sot (22.12.2024) në Mirditë.
Atje ai mori pjesë në formalizimin e binjakëzimit mes bashkisë së Mirditës dhe komunës arbëreshe të Shën Kozma Shqiptarit (San Cosmo Albanese), të Italisë, një iniciativë e tij për të forcuar marrëdhëniet midis shqiptarëve.
“Më vjen mirë që sot jam së bashku me kryetarin e Fondacionit Arbëresh të Kalabrisë, me kryetarin e Bashkisë së San Cosmo Albenese dhe kryetarin e Bashkisë së Junikut në Kosovë.
E ku më mirë se në Mirditë mund të bëhen bashkë Arbëria, Shqipëria dhe Kosova. Unë ndihem mjaft i lumtur që më së fundi është një vend ku ne jemi bashkë. Së bashku mendoj se mund të bëjmë gjëra të mira.
Ku ka vullnet dhe dëshirë, gjithmonë gjenden mundësi dhe këto mundësi gjithmonë duhet të shfrytëzohen në të mirë të qytetarëve”, tha presidenti Begaj.
“Nuk ka si të gjesh më mirë se Mirdita. Në Mirditë je në vendin e historisë, në vendin e patriotizmit dhe në vendin e mikpritjes e të bujarisë. Projekti i quajtur Arbëria, Albania dhe Italia, në kuadër të të cilit u zhvillua binjakëzimi midis dy bashkive, është një projekt madhor.
Sot në Mirditë dua t’i jap udhë një tjetër iniciative për bashkimin e vlerave të shqiptarëve kudo janë, për ruajtjen e vëllazërisë, të kulturës e të traditës sonë, që do ta pagëzoj me emrin ‘Rrënjët’”, tha presidenti Begaj.
“Duhet të punojmë që këtë bashkëpunim ta forcojmë, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbështesim njëri-tjetrin” shtoi më tej presidenti Begaj.
Në festivalin që u organizua në sheshin e Mirditës, “Abat Doçi”, presidenti Begaj uroi Krishtlindjen për çdo qytetar të Mirditës dhe të Shqipërisë.
“Për mua është vërtet kënaqësi e madhe të jem sot këtu në Mirditë. Është kënaqësi e veçantë të jem këtu në prag Krishtlindjeje dhe dua të uroj secilin nga ju gëzuar Krishtlindjen. Qoftë një vit i mbarë 2025-ta, sa më i lumtur! Uroj paqe, mirësi, dashuri dhe shumë mirëqenie për secilin nga ju! Gëzuar”, uroi presidenti Begaj.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments