Brasilia, Brazil | Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka dekretuar tre ditë zie kombëtare në kujtim të 61 viktimave që humbën jetën në rrëzimin e avionit që ndodhi në Vinhedo, të shtetit të Shën Palit (Sao Paulos).
Modeli ATR-72 me dy motorë në pronësi të kompanisë braziliane Voepass u ngrit pa probleme në orën 11.50 të mëngjesit nga aeroporti Kasavel (Cascavel), në shtetin Parana, në Brazilin jugor drejt aeroportit Guarulhos ku nuk mbërriti kurrë.
Avioni u rrëzua në kopshtin e një shtëpie në Vinhedo ku tre persona mbetën të padëmtuar.
Një grup pasagjerësh që mbërritën me vonesë nuk arritën të hipnin në fluturim në minutën e fundit.
“Është një mrekulli që jam gjallë dhe falënderoj zyrtarin që nuk më lejoi të hipja në bord”, tha njëri prej tyre për shtypin vendas.
Ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për të rikuperuar mbetjet, ekspertët kanë filluar të vënë në dyshim shkaqet e mundshme, duke përfshirë formimin e ngricave në krahë për shkak të rënies së shpejtë të temperaturave në shtetin e Shën Palit (Sao Paulos).
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentários