Ankara, Turqi | Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha sot se Turqia qëndron në solidaritet me Libanin pas rritjes së tensioneve me Izraelin dhe u bëri thirrje vendeve të rajonit të mbështesin Bejrutin.
Duke folur në grupin e partisë së tij në parlamentin turk, presidenti Erdogan tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu po planifikonte të përhapte luftën në Gaza në rajon, dhe se kjo do të ishte katastrofike dhe e përshkroi mbështetjen e Perëndimit për Izraelin si të mjerueshme.
“Duket se Izraeli, i cili shkatërroi Gazën, tani po i kthen sytë nga Libani. Ne shohim se fuqitë perëndimore po mbështesin Izraelin në prapaskenë”, tha presidenti turk para deputetëve të partisë së tij në parlament.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha të dielën se në fund të fazës intensive të ofensivës së saj në Rripin e Gazës, ushtria izraelite do të ishte në një pozicion për të ridislokuar disa forca në veri pranë kufirit me Libanin, duke rritur frikën e një zgjatjeje të konfliktit.
“Është jashtëzakonisht serioze dhe e mjerueshme që shtetet që flasin për lirinë, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë janë të burgosur të një njeriu të sëmurë mendor si Netanjahu”, tha presidenti Erdogan.
Shtetet e Bashkuara paralajmëruan dje, të martën (25.06.2024), se një konflikt midis Izraelit dhe Hezbollahut mund të shkaktojë një luftë rajonale.
Më shumë se tetë muaj dhunë midis Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite kanë lënë të paktën 481 të vdekur në Liban, shumica prej tyre luftëtarë të Hezbollahut dhe 94 civilë, sipas një numërimi të entit mediatik AFP.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentários