Uashington, Amerikë | Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhëu Baidn (Joe Biden), nis sot vizitën e tij të shumëpritur në Angola, e para në kontinentin afrikan që nga fillimi i mandatit të tij.
Vizita, e planifikuar fillimisht për tetorin e kaluar, por më vonë e shtyrë pas urgjencës së lidhur me uraganin Milton, përfshin një takim sot me homologun e tij angolez Joao Lourenco.
Sipas njoftimeve nga Shtëpia e Bardhë, përpara se të udhëtojë për në Angola, presidenti Baidn (Biden) do të zbarkojë në Kepin e Gjelbër (Cape Verde), ku do të takohet shkurtimisht me kryeministrin Ulisses Correia e Silva.
Në Luanda, nesër, të mërkurën, është planifikuar edhe një vizitë në Muzeun Kombëtar të Skllavërisë dhe në portin e Lobitos.
Qëllimi kryesor i vizitës së presidentit Baidn (Biden) është të nxjerrë në pah investimet amerikane në Korridorin Lobito, projekti maxi hekurudhor 1600 kilometra i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian (përfshirë Italinë) dhe që synon të lidhë pellgjet minerale nga Republika Demokratike e Kongo (DRC) - veçanërisht bakri dhe kobalti - drejt Zambisë dhe portit Angolan të Lobitos, në Oqeanin Atlantik, duke ofruar një rrugë të shpejtë dhe efikase për eksportet në Perëndim.
Projekti është një alternativë ndaj atij të kryer nga Kina me Tanzaninë dhe Zambinë për të rifilluar një linjë hekurudhore drejt portit tanzanian të Dar es Salaam.
Vizita e presidentit Baidn (Biden) është vizita e parë e një presidenti amerikan në Afrikën Sub-Sahariane që nga viti 2015, kur z. Barack Obama vizitoi Kenian dhe Etiopinë.
Do të jetë gjithashtu hera e parë që një president i SHBA-së viziton Angolën, me të cilën presidenti Baidn (Biden) ka kërkuar të forcojë marrëdhëniet vitet e fundit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments