Lisbonë, Portugali | Autoritetet portugeze të hetimit penal arrestuan:
1- Z. Arben Kaçorri, i njohur si një nga subjektet kryesore të agjenturës ballkanike të krimit ordiner.
Z. Kaçorri është dënuar në Itali me rreth 22 vjet heqje lirie për vrasje dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Mediat portugeze bëjnë me dije se ai u arrestua bashkë me trafikantin e drogës Ikario Ledi Guveia (Ícaro Leddy Gouveia), i njohur me nofkën “Fantazma” në një ndërtesë luksoze në një nga zonat më të shtrenjta të Lisbonës.
Ai jetonte prej 11 vitesh në një pallat luksoz në Parque das Nações, në Lisbonë.
Në të njëjtën ndërtesë, vetëm një kat më lart, jetonte portugezo-braziliani Ikario Ledi Guveia (Ícaro Leddy Gouveia), me moshë 48 vjeç, anëtar i mafias marokene “Mocro”, por që vepron kryesisht në Holandë.
Të dy të arrestuarit mësohet se kanë drejtuar një rrjet kushtuar trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili operonte në Portugali dhe Holandë. Dyshohet se veprimtaria kriminale koordinohej nga ndërtesa ku ata jetonin.
Në një deklaratë, Policia Gjyqësore portugeze shpjegon se ka zbërthyer organizatën kriminale gjatë një operacioni të quajtur “Labyrinth”, i cili u krye njëkohësisht në të dy vendet dhe bëri të mundur çmontimin e infrastrukturës së grupit kriminal, anëtarët e të cilit akuzohen për trafik droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale, rrëmbim, dhe peng marrje.
Ata u transferuan në burgun e sigurisë së lartë Monsanto, në Lisbonë, ku presin zhvillimin e hetimeve.
Sipas autoriteteve, të arrestuarve u sekuestruan sasi të mëdha parash, disa automjete shtrenjta, mallra luksi, sisteme komunikimi dhe pajisje të ndryshme kompjuterike.
Në njoftim, policia thekson gjithashtu se kjo organizatë ka kryer disa krime të dhunshme që synonin të zotëronin drogë përmes përdorimit të forcës dhe përdorimit të armëve.
Duke pasur parasysh potencialin e madh ekonomik të organizatës, anëtarët e saj kishin masa të forta sigurie dhe vetëmbrojtjeje, përkatësisht mjete të avancuara të transmetimit të informacionit, si në nivel individual, ashtu edhe të përdorura në përdorimin e kundërmasave policore.
Autoritetet besojnë se kjo ortakëri midis agjenturës ballkanike të krimit ordiner dhe “Mocro Mafias”, një organizatë që është lidhur me vrasjen e gazetarit holandez Peter R. de Vries, në muajin korrik të vitit 2021, dhe kërcënimet me vdekje ndaj shtëpisë mbretërore holandeze, Princeshës Catharina-Amalia, ka operuar kryesisht jashtë vendit.
Trafiku ndërkombëtar i kokainës kishte si epiqendër portet e Roterdamit dhe Antuerpenit (Antwerpen), në Belgjikë.
Z. Arben Kaçorri ka lidhje me organizata kriminale, por jo vetëm, edhe vëllai i tij, z. Valentino Kaçorri konsiderohet pjesë e agjenturës ballkanike të krimit ordiner (ky i fundit është kunati i z. Ervis Martinajt, i shpallur në kërkim policor dhe i trumbetuar si i zhdukur që prej muajit gusht të vitit 2022).
Në muajin maj të vitit 2009 z. Kaçorri u dënua në Itali me 21 vjet e tetë muaj heqje lirie i akuzuar për vrasjen e z. Fatmir Kala, akt kriminal i ndodhur në Firence.
Dënimi penal ndaj tij mori formë të prerë në muajin tetor të vitit 2010, pasi ankesa e tij e fundit u refuzua. Autoritetet italiane nuk arritën ta lokalizonin z. Kaçorri me qëllim që t’i nënshtrohej dënimit penal.
Pritet që Italia duhet të kërkojë ekstradimin e të dënuarit në shtetin portugez.
Pas këtij dënimi, 15 pasuri të Kaçorrit iu konfiskuan me vendim të një gjykate shqiptare. Trafikanti i drogës humbi ndërtesa tregtare, apartamente, toka dhe garazhe, të gjitha të vendosura në Tiranë dhe në qytete të tjera.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments