PO AVANCON GJYQI NDAJ BLEDAR JAMBELLIT I AKUZUAR SI POROSITËS I VRASJES SË KRYEKOMISARIT ARTAN CUKU: SI DORAS U ARRESTUA MIKEL SHALLARI I CILI U BË BASHKËPUNËTOR I PROKURORISË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- May 20
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nisi gjykimi penal në mungesë për:
1- Z. Bledar Jambelli.
Ai akuzohet se ka porositur vrasjen e ish-drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës Artan Cuku.

Vrasja e kryekomisarit Cuku ngjau në vitin 2017, në “Rrugën e Kosovarëve”, ndërsa i pandehuri Jambelli u arrestua në Greqi në vitin 2018, si organizator dhe financues i vrasjes.
Prokuroria paraqiti konkluzionet e saj lidhur me akuzën penale të ngritur ndaj tij.
Më datën 3 qershor të vitit 2025 (ora 13:30) do të zhvillohet seanca gjyqësore për të dëgjuar pretencën e Prokurorisë; mbrojtjen e të pandehurit; shpalljen e vendimit gjyqësor.
I pandehuri Jambelli u arrestua në vitin 2018 në Greqi, por, autoritetet greke të Drejtësisë Penale kanë refuzuar ta ekstradojnë në Shqipëri.
Kumtohet se si shkak për mosekstradimin e tij është bërë një dëshmi mbrojtëse e lëshuar ndaj tij nga z. Fredi Beleri (tashmë eurodeputet).


Në vitin 2022 ai u arrestua në Athinë i përfshirë në një ngjarje kriminale ku mbetën të plagosur disa veta (5).
Si ekzekutor (doras) u akuzua z. Mikel Shallari, i cili, u arrestua vetëm pak ditë pas vrasjes së kryekomisarit Cuku.

Ai vendosi të bashkëpunojë me Prokurorinë, duke treguar marrëveshjen e bërë me të pandehurin Jambelli për vrasjen e kryekomisarit Cuku.
Nga sa më sipër, z. Shallari u dënua minimalisht me 8 vjet heqje lirie për shkak se ai kishte përfituar statusin e bashkëpunëtorit të Prokurorisë.


Motivi i vrasjes së kryekomisarit Cuku lidhej me hakmarrjen ndaj tij.
Kjo për shkak se ai e kishte arrestuar të pandehurin Jambelli në vitin 2012 duke e akuzuar për vrasjen e z. Armando Delaj e ndodhur po atë vit.
I pandehuri Jambelli u lirua dy vjet më pas nga gjykata.
Ai ngriti padi dhe përfitoi mbi 500 mijë lekë dëmshpërblim për kohën që iu hoq liria nga masat e parashikuara në ligjin procedurial penal.

Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentarios