PLAZHI I GJILEKËS; DHËRMI | AUREN DHONO (ME PROFESION INXHINER NDËRTIMI) U ARRESTUA.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jul 5
- 2 min read

Plazhi i Gjilekës, Dhërmi, Vlorë, Shqipëri | Strukturat vendore të Policisë së Shtetit arrestuan:
1- Z. Auren Dhono, me moshë 26 vjeç, me profesion inxhiner ndërtimi.
Njoftim | Shkaktuan ndotje në plazhin e Gjilekës, duke hedhur mbetje inerte nga ndërtimi i një objekti hotelerie në këtë zonë, arrestohet inxhinieri i subjektit ndërtues.
Në bashkëpunim me AZHT dhe IKMT, bllokohet objekti në ndërtim dhe vilat përreth tij, në disa prej të cilave ishin futur banorë pa përfunduar procesi i çertifikimit.
Në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht të Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ushtruan kontroll në një subjekt ndërtues në vendin e quajtur Gjilekë, Drimadhë, fshati Dhërmi, ku po ndërtohen objekte hotelerie dhe banimi, me leje të miratuar.
Gjatë kontrollit u konstatuan shkelje mjedisore dhe administrative, konkretisht:
* Depozitimi i mbetjeve inerte ndërtimi në afërsi të objektit dhe në vijën bregdetare, duke sjellë ndotje të ambientit përreth;
* Përdorimi i objekteve banimi pa çertifikim për strehim të banorëve, në një fazë kur ende nuk ishin përfunduar punimet dhe procedurat ligjore për vënien në funksion të tyre.
Në përfundim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Dh., 26 vjeç, me detyrë inxhinier zbatues i këtij projekti ndërtimor, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
Gjithashtu, nga ana e IKMT-së u mbajt procesverbali për konstatimin e kundërvajtjes administrative dhe u bë bllokimi i objektit, deri në marrjen e masave për eliminimin e të gjitha shkeljeve ligjore të konstatuara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për të garantuar zbatimin e ligjit, veçanërisht në mbrojtjen e mjedisit dhe zonave turistike nga çdo veprim i paligjshëm që dëmton territorin dhe burimet natyrore, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments