PAKISTANI: VRAMË MBI 40 USHTARË INDIANË | SHPËRTHIME ME DRONË DHE RAKETA.
- Agjencia Telegrafike Vox
- May 9
- 4 min read

Islamabad, Pakistan | Sulmet midis dy fuqive bërthamore po intensifikohen dhe rrezikojnë të nxisin tensione të reja ndërrajonale.
Islamabadi thuhet se përdori avionë luftarakë kinezë për të goditur avionët indianë.
Konfrontimi midis Indisë dhe Pakistanit ka arritur në një pikë të re kritike.
Pasi Delhi i Ri nisi sulme me raketa të martën në mbrëmje në përgjigje të masakrës së turistëve hindu në Kashmir në muajin prill, Islamabadi u përgjigj me zjarr artilerie përgjatë Vijës së Kontrollit, kufirit de fakto midis dy vendeve në rajonin e kontestuar.
Pakistani: 25 dronë të nisur nga India u rrëzuan.
Në një shkëmbim akuzash që rrezikon të nxisë tensionet, Islamabadi denoncoi një sulm të ri nga Delhi i Ri, duke e quajtur atë një provokim serioz.
Sipas zëdhënësit të ushtrisë pakistaneze, gjeneralit Ahmed Sharif Çaudhri (Chaudhry), forcat ajrore rrëzuan 25 dronë të prodhuar në Izrael të nisur nga India, disa prej të cilëve po drejtoheshin drejt zonave urbane si Karaçi dhe Lahore.
Në Lahore, në veçanti, shpërthime ndodhën në orët e para të mëngjesit dhe një dron u shkatërrua pranë aeroportit.
Forcat indiane thuhet se kanë shkatërruar një sistem mbrojtës ajror të ushtrisë pakistaneze në Lahore.
“Kemi mësuar nga burime të besueshme se një sistem mbrojtës ajror në Lahore është neutralizuar”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga qeveria e Delhit të Ri.
Është një nga rastet e rralla në të cilat dy fuqitë bërthamore godasin njëra-tjetrën drejtpërdrejt në territorin armik.
Autoritetet pakistaneze kanë urdhëruar pezullimin e përkohshëm të fluturimeve në disa aeroporte në vend për arsye sigurie.
Rreth 50 ushtarë indianë të vrarë: Nga ana e saj, qeveria indiane akuzoi Pakistanin për përpjekje për të nisur sulme ndaj infrastrukturës ushtarake në tokën indiane gjatë natës.
Delhi i Ri tha se Pakistani nisi një sulm ajror duke përdorur dronë dhe raketa gjatë natës, përpara se Delhi i Ri të hakmerrej duke shkatërruar një sistem mbrojtës ajror në Lahore.
“Shkëmbimi i zjarrit të artilerisë vazhdoi deri natën. Delhi i Ri dënon Islamabadin për vrasjen e 40-50 ushtarëve indianë përgjatë Vijës së Kontrollit që ndan zonat e kontrolluara nga India dhe Pakistani në Kashmir”, tha ministri pakistanez i Informacionit, Attullah Tarar, duke pretenduar se ushtria e Islamabadit i hodhi në erë instalimet e saj ushtarake në kufirin de fakto.
India: Do t'i përgjigjemi çdo sulmi nga Pakistani.
Tensionet midis Indisë dhe Pakistanit kanë qenë të larta për njëfarë kohe, por ato janë përkeqësuar ndjeshëm pas një sulmi terrorist më 22 prill në Kashmir, një rajon i kontestuar midis Indisë dhe Pakistanit për dekada të tëra.
Mundësia e një përshkallëzimi ushtarak tani duket gjithnjë e më konkrete, duke nxitur shqetësime rajonale dhe ndërkombëtare.
Kryeministri indian Narendra Modi bëri thirrje për vigjilencë të vazhdueshme dhe komunikim të qartë në komentet e tij të para që nga fillimi i përshkallëzimit ushtarak midis vendit të tij dhe Pakistanit.
Kryeministri ultra-hindu theksoi nevojën për koordinim të fortë të brendshëm dhe qëndrueshmëri për t'u përballur me armiqësitë me Pakistanin.
Më parë, ministri Indian i Mbrojtjes, Rajnath Singh, tha gjatë një takimi me udhëheqësit politikë se operacioni ushtarak i Indisë kundër objektivave në Pakistan vazhdon.
Më i fuqishëm ishte qëndrimi i ministrit të Jashtëm Indian Subrahmaniam Jaishankar, i cili, paralajmëroi se India do t'i përgjigjet çdo veprimi ushtarak pakistanez, duke theksuar se Delhi i Ri nuk ka ndërmend të përshkallëzojë situatën.
Avionë luftarakë indianë të rrëzuar nga avionë kinezë: Pakistani tha se kishte rrëzuar pesë avionë ushtarakë indianë dhe një dron në sulmin e Indisë në disa vende në Pakistan dhe Kashmirin pakistanez të martën në mbrëmje.
Nuk është e qartë se si u rrëzuan saktësisht aeroplanët: qarkullojnë informacione konfuze që është e pamundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Një burim sigurie pakistaneze i tha transmetuesit televiziv “CNN” se gjatë sulmit me raketa të kryer nga India pati edhe luftime ajrore që zgjatën rreth një orë.
Avionë ushtarakë indianë dhe pakistanezë qëlluan drejt njëri-tjetrit, pa dalë nga hapësira e tyre ajrore, dhe gjatë këtyre përleshjeve thuhet se Pakistani rrëzoi pesë aeroplanët indianë.
Islamabadi tha se rrëzoi tre avionë luftarakë Rafale të prodhuar në Francë, një MiG-29 dhe një avion luftarak Su-30, pasi India nisi sulme ajrore në ato që i quajti vende terroriste brenda Pakistanit dhe Kashmirit të administruar nga Pakistani.
Ndërsa informacioni nuk është konfirmuar nga India, Pakistani pretendon se ka përdorur avionë luftarakë të prodhuar në Kinë për të rrëzuar pesë avionët indianë që u goditën në orët e fundit.
Konfirmimi vjen nga ministri i Jashtëm Pakistanez, Ishak (Ishaq) Dar: “Aeroplanët tanë luftarakë ishin J-10C që rrëzuan tre Rafale francezë dhe avionë të tjerë”.
Sipas ministrit Dar, në orën 4 të mëngjesit të mërkurën, ndërsa sulmet indiane ishin në vazhdim, një delegacion kinez ishte në Ministrinë e Jashtme pakistaneze për të marrë një përditësim mbi incidentin.
Një burim i inteligjencës pakistaneze i tha transmetuesit televiziv “CNN” se gjatë ofensivës indiane, pati beteja ajrore që zgjatën rreth një orë, me avionët luftarakë të të dy vendeve që u përballën me njëri-tjetrin pa hyrë në hapësirën ajrore të armikut.
Është në këtë kontekst që, sipas Islamabadit, pesë aeroplanët u rrëzuan.
I pyetur në lidhje me komentet e minsitrit Dar, një zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze tha se nuk ishte në dijeni të situatës dhe nuk kishte parë asnjë informacion relevant në lidhje me aktivitetet e ambasadorit kinez në Pakistan.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm, Kina është furnizuesi më i madh i armëve i Pakistanit: gjatë pesë viteve të fundit, armët kineze kanë përbërë 81 përqind të importeve të armëve të Pakistanit.
Pas bombardimeve të Pakistanit nga India, Kina u bëri thirrje të dyja palëve të ulin tensionet, duke thënë se shpreh keqardhje për veprimin ushtarak të Indisë kundër Pakistanit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments