Bejrut, Liban | Disa parti opozitare libaneze kanë kundërshtuar luftën që po vazhdon në vend që nga e hëna, kur ushtria izraelite shtoi bombardimet e saj në disa zona të Libanit.
Udhëheqësi i partisë Maronite Forcat Libaneze (FL, blloku më i madh opozitar), Samir Geagea, pyeti: “A mund të më shpjegojë dikush se çfarë e ka penguar presidentin e Parlamentit deri tani, Nabih Berri, të mbledhë urgjentisht dhomën për të diskutuar tragjedinë që po përjeton populli libanez në këtë kohë, veçanërisht nëse kujtojmë se dhjetë deputetë kishin paraqitur një kërkesë me shkrim më 22 korrik për të caktuar një datë për të pyetur qeverinë për masat që duhen marrë për të shpëtuar Jugun dhe Libanin nga lufta?”
Në një deklaratë të lëshuar sot, z. Geagea shtoi: “Është e papranueshme që populli libanez të vazhdojë të vuajë. A nuk janë krizat e vështira financiare, ekonomike dhe sociale një barrë mjaft e rëndë për të shtuar një luftë për të cilën kemi paralajmëruar disa herë dhe që ka përfunduar duke i zhvendosur ata në zemër të atdheut të tyre?”
Ai tha se kjo është një tragjedi ndërsa shteti praktikisht mungon.
Nga ana tjetër, lëvizja opozitare Renewal shprehu mbështetjen e saj për kauzën palestineze dhe legjitimitetin e saj, por specifikoi se rruga për në Palestinë nuk kalon përmes shkatërrimit të Libanit.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur në parlamentin e Bejrutit, lëvizja iu drejtua Hezbollahut: “Mjaft është mjaft. Mjaft me bixhoz e pamaturi, mjaft me parrulla shkatërruese dhe akuza për tradhti, sepse vetëm shteti na mbron të gjithëve dhe heroizmi i vërtetë nuk konsiston në vetëvrasjen kolektive, por në njohjen e gabimeve dhe korrigjimin e tyre”.
Lëvizja e Rinovimit përfshin tre parlamentarë, z. Mishel Moauad (Michel Moawad) ish-kandidat i opozitës libaneze për presidencën e Republikës, ish-ministrin e drejtësisë, gjeneralin Ashraf (Achraf) Rifi dhe sipërmarrësin miliarder Fuad (Fouad) Makhzoumi (të dy sunitë).
Z. Ibrahim Mrad, president i Unionit Sirian Libanez (partia e opozitës së krishterë), ishte shumë më i qartë dhe qartësisht bëri thirrje për zbatimin e Rezolutës 1559 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të miratuar në shtator 2004, e cila parashikon për çarmatimin e të gjitha milicive në Liban.
“Milicia e Hassan Nasrallah (partia shiite pro-iraniane Hezbollah) është përgjegjëse për vrasjen e popullit libanez”, tha z. Mrad.
Ai u kërkoi partive, parlamentarëve dhe forcave sovraniste të mbajnë një takim urgjent dhe t'i dërgojnë një mesazh komunitetit ndërkombëtar.
Shumica e popullit libanez kundërshton praninë e milicive të Hezbollahut dhe po paguajnë çmimin për shkatërrimin e Libanit dhe vrasjen e popullit të tij për të mirën e Iranit, i cili, i shiti ata në tregun e skllevërve, duke bërë thirrje për zbatimin e shpejtë të Rezolutës 1559, e cila, është shpëtimi për popullin libanez të robëruar dhe do t'i japë fund luftërave të pakuptimta.
Z. Mrad theksoi gjithashtu rëndësinë e largimit të ushtrisë libaneze nga bazat dhe depot e raketave nga shtëpitë, fshatrat dhe zonat jashtë mjedisit të milicive.
Disa anëtarë të komunitetit shiit janë shprehur gjithashtu kundër hegjemonisë së Hezbollahut në Liban.
Midis tyre, themeluesi i lëvizjes Taharror (Çlirimtare), Ali Khalifa, i cili deklaroi për për një ent mediatik ndërkombëtar (A. Nova) se Hezbollahu po mbjell shkatërrim, duke marrë me vete katër milionë libanezë.
“Një pjesë e mjedisit me tru të shplarë të Hezbollahut (një term që përdoret për të treguar përkrahësit shiitë) jeton në mohim dhe e konsideron humbjen si fitore dhe poshtërimin si krenari dhe dinjitet”, tha z. Khalifé.
Udhëheqësi më pas propozoi zgjidhjen e neutralitetit si një projekt politik i zbatueshëm për shoqëritë pluraliste si Libani.
“Ne gjithashtu bëjmë thirrje për një zgjidhje paqësore të konfliktit me Izraelin për t'i dhënë fund jo vetëm këtij përshkallëzimi, por, edhe një rruge të përgjakshme që ka paralizuar Libanin prej vitesh, duke e lidhur atë me boshtin Iranian”, shtoi politikani.
Z. Khalifé shkoi aq larg sa kërkoi pas gjithçkaje që po ndodh, heqjen e kombësisë libaneze të z. Hassan Nasrallah (Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut).
“Dje, të enjten, lideri i partisë maronite Kataeb, deputeti i opozitës Sami Gemayel tha se Hezbollahu duhet të ndalojë menjëherë dhe t'i dorëzojë armët dhe pajisjet e tij ushtrisë libaneze”, tha z. Gemayel në një konferencë për shtyp.
“Ne dëgjuam fjalimin e fundit të z. Hassan Nasrallah një javë më parë dhe duam t'i themi atij se asnjë parti apo individ nuk ka të drejtë ta tërheqë Libanin në një luftë”, tha udhëheqësi politik maronit.
“Mjaft është mjaft”, tha z. Gemayel, duke kritikuar argumentin e z. Nasrallah se fronti jugor është një kartë e rëndësishme në negociatat e armëpushimit në Rripin e Gazës.
“Por jeta e libanezëve nuk është një kartë që mund të përdoret”, protestoi z. Gemayel, duke kujtuar se operacionet izraelite kanë shkaktuar më shumë se 620 viktima që nga e hëna, më 23 shtator 2024.
Që nga 23 shtatori 2024, fillimi i operacionit ushtarak izraelit në shkallë të gjerë kundër Hezbollahut, disa fshatra në Liban janë goditur. Familjet qajnë mes rrënojave të shtëpive të tyre të dëmtuara.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha dje se qeveria e tij nuk i është përgjigjur thirrjes së Shteteve të Bashkuara për një armëpushim 21-ditor me Hezbollahun.
Në vend të kësaj, sipas një deklarate nga zyra e kryeminsitrit Netanjahu, kryeministri ka urdhëruar ushtrinë të vazhdojë luftën me të gjithë forcën e nevojshme.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments