Jorku i Ri, Amerikë | Misioni i Kombeve të Bashkuara në Venezuelë ka filluar mbledhjen e ankesave për shkeljet e të drejtave të njeriut të regjistruara në vend pas zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut 2024.
Kështu ka raportuar zyra e OKB-së në rrjetin social virtual Iks (X), duke treguar se ka aktivizuar një ueb portal ku qytetarët mund të paraqesin ankesat e tyre në mënyrë të sigurt dhe konfidenciale.
Në këtë faqe, qytetarët do të mund të bashkëngjisin dokumente dhe prova të shkeljeve të të drejtave të njeriut të pësuar nga forcat qeveritare veçanërisht në kontekstin e protestave që shpërthyen në vend pas shpalljes së diskutueshme - pa prova - të rizgjedhjes së z. Nikolas Maduro.
Shoqëria civile dhe organizata të shumta joqeveritare (OJQ) që mbrojnë të drejtat e njeriut kanë regjistruar zhdukje me forcë, përndjekje politike, ndalime arbitrare, vrasje, tortura, trajtime mizore dhe degraduese të kryera ndaj qytetarëve, liderëve politikë, gazetarëve dhe aktivistëve.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments