Londër, Britani e Madhe | Sekuestrimi i një ngarkese prej tre tonësh kokaine në aeroportin kryesor të Venezuelës nxjerr në pah rolin e infrastrukturës së aeroportit në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe ekspozon një rrugë të pazakontë të trafikut të drogës.
Më 24 gusht 2024, Garda Kombëtare Bolivariane (GNB) kapi tre ton kokainë që do të dërgohej në një fluturim ngarkesash EMTRASUR (një linjë ajrore shtetërore venezueliane) nga Aeroporti Ndërkombëtar Simón Bolívar i Maikuetias (Maiquetía), i vendosur në shtetin e La Guaira-s, afër Karakasit.
Dërgesa ishte e destinuar për në Afganistan, por do të bënte një ndalesë në Rusi, sipas një raporti të medias.
Autoritetet arrestuan 13 veta pas konfiskimit të drogës. Prej tyre, tre u identifikuan si përgjegjës për koordinimin e hyrjes së substancës nga Kolumbia përmes shtetit kufitar të Takirës (Táchira) dhe transferimin e saj me rrugë tokësore në aeroport.
Kokaina ishte fshehur në pako të lidhura me kompaninë Café El Faraón CA, pronari i së cilës thuhet se iku në territorin kolumbian pas sekuestrimit të drogës.
Megjithëse raporti fillestar tregoi se presidenti i Kompanisë Shtetërore Aerocargo del Sur (EMTRASUR), Sesar Joze Perez Salas (César José Pérez Salas), ishte kapur, ministri venezuelian i Transportit, Ramon Çelestino Velaskuez (Ramón Celestino Velásquez), më vonë e mohoi këtë version në llogarinë e tij në rrjetin social virtual Iks (X).
Deri më sot, përveç z. Velaskuez (Velasquez), asnjë burim tjetër zyrtar i qeverisë venezueliane nuk ka komentuar për konfiskimin.
Pas konfiskimit, gazetarja Sebastiana Barráez tha se nuk është e mundur që dërgesat e drogës të largohen nga Aeroporti Ndërkombëtar Maikuetia (Maiquetia) pa bashkëpunimin e forcave të sigurisë, veçanërisht të Forcave të Armatosura, sepse aeroporti është plotësisht nën kontrollin e qeverisë.
Hera e fundit që Aeroporti Maikuetia (Maiquetia) u përfshi në një ngarkesë kaq të madhe ishte në vitin 2013, kur autoritetet franceze kapën 1.3 ton kokainë të futur në 31 valixhe në një fluturim komercial të linjës ajrore Air France.
Ndërsa kjo nuk është hera e parë që Aeroporti Maikuetia (Maiquetia) përdoret në përpjekjet për të eksportuar kokainë në destinacione të huaja të pazakonta, dërgimi i një dërgese kaq të madhe në një vend si Afganistani mund të jetë një mbulesë për rrugë të tjera fitimprurëse të trafikut të drogës në Azi.
Historikisht, Afganistani ishte qendra kryesore në botë e prodhimit dhe trafikimit të opiumit, duke përbërë pothuajse 80% të furnizimit global.
Megjithatë, roli i tij në tregtinë e drogës ka ndryshuar ndjeshëm vitet e fundit.
Prodhimi i opiumit në vend ra me 95%, duke rënë nga 6200 ton në 2022 në vetëm 333 ton në 2023, sipas një studimi të muajit gusht të 2023 nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC).
Kolapsi në tregun e opiumit ka sjellë dinamika të reja, si rritja e trafikimit të metamfetaminave të prodhuara në vend me konfiskim rekord në Evropë dhe Azi.
Megjithëse Afganistani ka një histori të trafikut të drogës, kjo është hera e parë që regjistrohet një dërgesë kokaine nga Amerika Latine në Afganistan.
Znj. Vanda Felbab-Braun (Brown), një eksperte e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtore e lartë në Institutin Brookings, tha se përdorimi i Afganistanit si destinacion kokaine duket si një manovër devijuese për të siguruar mbërritjen e dërgesave në destinacione të tjera në zhvillim.
“Është mjaft e ndërlikuar të kalosh përmes Afganistanit dhe thuajse duket sikur kjo ishte menduar të kapej. Është sikur të jetë një operacion i fshehtë, ku një njësi kundër narkotikëve po teston cilësinë e rrjeteve përmes dërgesave të kontrolluara, ose ndoshta trafikantët e drogës po dërgojnë diçka që ata e dinë se do të përgjohet ndërsa lëvizin një ngarkesë tjetër në një rrugë tjetër”, tha znj. Felbab-Braun (Brown).
Nga ana tjetër, studiuesi thekson se nëse ka një interes për të lëvizur tre tonë drogë në tregun aziatik, Turqia dhe Rusia - ku fluturimi do të kishte një ndalesë - do të ishin opsione më të sigurta me lidhje më të mira me Venezuelën për këtë lloj operacioni.
Të dy vendet kanë krijuar rrjete dhe organizata të specializuara kriminale që garantojnë tranzit më të besueshëm.
“Grupet turke luajnë një rol të rëndësishëm. Ata kanë zgjeruar lidhjet me Amerikën Latine dhe kanë lidhje në Azinë Qendrore dhe padyshim, në Lindjen e Mesme, si dhe në Evropë”, shpjegoi znj. Felbab-Braun (Brown).
Në hartën e destinacioneve alternative që janë larguar nga Venezuela, Turqia e ka pozicionuar veten si një opsion për destinacione të përbashkëta si Evropa dhe Amerika e Veriut, ku mbikëqyrja dhe ndalimi i shtetit kanë bërë që organizatat ndërkombëtare të kërkojnë korridore të reja droge.
Në vitin 2018, Prokurori i Përgjithshëm i Venezuelës, Tarek Uilliam (William) Saab, raportoi çmontimin e një rrjeti kriminal transnacional që dërgonte drogë nëpërmjet fluturimeve komerciale nga Venezuela në Liban, Turqi dhe disa destinacione në Evropë.
Mes 18 të arrestuarve që morën pjesë në atë sipërmarrje kriminale ishte edhe një rreshter i dytë i GNB-së i caktuar në Njësinë Speciale Kundër Drogës të Aeroportit.
Një tjetër nga rastet më të njohura lidhet me akuzat e z. Sedat Peker, një bos mafioz me origjinë turke, i cili akuzoi z. Erkam Jildirim (Yildirim) - djalin e ish-kryeministrit turk Binali Jildirim (Yildirim) - për disa vizita në tokën venezueliane me qëllim të hapjes së një linje transnacionale të re transportit të drogës midis Amerikës së Jugut dhe Turqisë.
Ndonëse akuzat e z. Peker nuk çuan në hetime zyrtare, lidhjet tregtare midis qeverisë venezueliane dhe turke, veçanërisht në tregtinë e arit, mund të shfrytëzoheshin nga rrjetet kriminale turke që kanë rritur gradualisht përfshirjen e tyre në tregtinë e kokainës.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments