NEUTRINUA: ELEMENTI I FIZIKËS SË RE; NGA MATERIA TE YJET.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jun 25
- 2 min read

Padovë, Itali | Neutrinot, grimcat më të pakapshme dhe në të njëjtën kohë më të bollshme në univers, janë shenja se diçka mungon në Modelin Standard, teorinë e referencës së fizikës moderne.
“Në 25 vitet e fundit, neutrinove u janë dhënë 3 Çmime Nobel dhe kjo tashmë jep një shenjë të rëndësisë së tyre”, tha për agjencinë e lajmeve “Ansa”, z. Mauro Mezeto (Mezzetto), drejtor kërkimesh në Institutin Kombëtar të Fizikës Bërthamore në Padova.
“Çmimi i fundit u dha në vitin 2015 për zbulimin e lëkundjeve të neutrinove, të cilat, tregojnë se këto grimca kanë masë”.
“Por Modeli Standard, siç është, nuk parashikon masë për neutrinot, kështu që - thekson ai - duhet të ketë grimca që ne ende nuk i dimë: ne kemi nevojë për fizikë të re”.
Kjo është arsyeja pse e ardhmja e kërkimit në këtë fushë zë një rol themelor brenda Simpoziumit të Hapur të organizuar në Venecia nga INFN-i me mbështetjen e Cern-it, i cili, këto ditë sheh të gjithë komunitetin evropian të fizikës së grimcave të mbledhur për të diskutuar strategjinë për vitet e ardhshme.
“Këtu në Venecia përfaqësohen të gjitha eksperimentet në nivelet më të larta - komenton fizikani i INFN-së - kështu që diskutimi është shumë i ndryshëm nga një konferencë normale ku takohesh vetëm midis fizikantëve, është në një nivel të ndryshëm dhe jashtëzakonisht interesant”.
Eksperimentet po përqendrohen në veçanti në dy tema:
1- Nga njëra anë asimetria midis materies dhe antimateries që vëzhgojmë në univers dhe që neutrinot mund të ndihmojnë në shpjegimin e saj.
2- Nga ana tjetër zbulimi i neutrinove kozmike, të cilat, sjellin informacione shumë të rëndësishme mbi proceset yjore.
“Në rastin e parë - thotë z. Mexeto (Mezzetto) - në 3-5 vitet e ardhshme 3 eksperimente të mëdha do të fillohen në Shtetet e Bashkuara, Japoni dhe Kinë, në të cilin, Evropa dhe Italia marrin pjesë ndjeshëm me 40-50% të studiuesve”.
Sa i përket neutrinove kozmike, megjithatë, dy teleskopë janë tashmë funksionalë dhe do të forcohen më tej në vitet në vijim.
Njëri ndodhet në Itali dhe është KM3NeT, një strukturë nënujore pranë brigjeve të Siçilisë, rezultat i një bashkëpunimi ndërkombëtar, në të cilin, merr pjesë INFN-i, i cili, në muajin shkurt të vitit 2025 njoftoi kapjen e neutrinos më energjike të parë ndonjëherë.
Teleskopi tjetër është IceCube, i cili, ndodhet nën akullin e Antarktidës dhe ka qenë tashmë në funksion për rreth 10 vjet.
“Janë dy eksperimente plotësuese - përfundon z. Mezeto (Mezzetto) - pasi ato ndodhen në hemisfera të ndryshme”.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments