
Damask, Siri | Qindra njerëz dolën në rrugë sot në lagjen e krishterë të Damaskut, kryeqyteti sirian, për të protestuar kundër djegies së një peme të Krishtlindjes, të kryer dje në Suqaylabiyah, një qytet i vendosur në provincën e Hama, në Sirinë qendrore-perëndimore.
Protestuesit marshuan drejt selisë së Patriarkanës Ortodokse, që ndodhet në lagjen Bab Sharqi.
Dje, disa milicë të maskuar i vunë zjarrin pemës së Krishtlindjes të ngritur në sheshin qendror të Suqaylabiyah.
Disa njerëz të armatosur e mbanin në distancë turmën e besimtarëve duke i drejtuar armët, ndërsa të tjerë i vunë zjarrin bredhit.
Pas incidentit, të krishterët protestuan në komandën ushtarake të qytetit dhe një video u publikua në internet, e cila, provokoi indinjatën e të krishterëve në të gjithë vendin.
Sukaylabiyah është i banuar nga mbi 17 mijë njerëz, kryesisht të fesë ortodokse greke.
Protestat me sa duket filluan edhe në Saidnaia, një qytet me 25 mijë banorë që ndodhet rreth 240 kilometra në jug të Suqaylabiyah, përgjatë rrugës që të çon në Damask, e cila, është 27 kilometra larg.
Saidnaia është i njohur për manastirin ortodoks grek kushtuar Virgjëreshës Mari, një nga më të vjetrit në Lindjen e Mesme, i themeluar - sipas traditës - nga perandori bizantin Justiniani I në vitin 547.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (Sohr), një organizatë joqeveritare me bazë në Londër, por me një rrjet të gjerë kontaktesh në zonë, milicët që dogjën pemën e Krishtlindjes janë të huaj dhe i përkasin grupit islamik Ansar al Tawhid (Përkrahësit e monoteizmit).
Një version i konfirmuar për banorët e qytetit edhe nga një udhëheqës fetar i Hayat Tahrir al Sham (Hts), grupi i frymëzuar nga xhihadistët dikur i lidhur me Al Kaedën, i cili, udhëhoqi ofensivën që çoi në rënien e regjimit të Bashar al Asadit më 8 dhjetor 2024.
Udhëheqësi i HTS premtoi se milicët do të ndëshkohen për atë që kanë kryer.
Që kur Hayat Tahrir al Sham përmbysi regjimin e Asadit dhe mori drejtimin e qeverisë tranzitore të Sirisë, udhëheqësi i grupit, Ahmed al Sharaa (i njohur më mirë me emrin e tij nome de guerre Abu Mohammed al Jolani), ka përsëritur disa herë se të drejtat e pakicave fetare do të respektohen.
Një qëndrim i konfirmuar në një intervistë për gazetën britanike “The Times”, në të cilën, Al Sharaa shpjegoi se ai tashmë kishte takuar përfaqësuesit e pakicave siriane (përfshirë të krishterët, druzët dhe alavitët) për t'i qetësuar ata, duke garantuar gjithashtu një amnisti për të gjithë qytetarët, përveç atyre që kanë kryer krime gjaku ose tortura.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Komentáře