Tiranë, Shqipëri | Çerçiz Topulli ishte atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit, dhe mban titullin e lartë “Hero i Popullit”.
Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër, në vitin 1880. Një ndër familjet me emër në qytetin e Gjirokastrës është ajo e Topullarajve.
Ishte një familje me rrënjë në atdhetarizëm dhe trimërinë, që e karakterizonte me një dukuri të veçantë nga fiset e tjera të qytetit të gurtë.
I pari i saj ishte Agushi (Agua). Rol të madh në formimin e tij luajti vëllai i tij më i madh, Bajo Topulli.
Çerçiz Topulli mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë” në Gjirokastër, ndërsa në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë”, drejtuar bashkatdhetarëve të tij, botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë”, Çerçiz Topulli kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e pavarur.
Mjedisi familjar në të cilin u rrit e sidomos vëllai më i madh Bajo Topulli ndikuan në formimin e tij si atdhetar i vendosur.
Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit të Fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë” në Gjirokastër.
Çerçiz Topulli me të vëllanë Bajo Topullin dhe Zeman Mashkullorin, në muajin prill të vitit 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës.
Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë në fillim të muajit marsit të vitit 1908 në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë.
Çerçiz Topulli drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars të vitit 1908.
Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë” drejtuar bashkatdhetarëve të tij dhe të botuar në muajin janar të vitit 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë” Çerçiz Topulli dënonte grabitjet e administratës osmane, dhe kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane, por jo vetëm, edhe të bëhej e lirë dhe e pavarur.
Ai shprehte bindjen se e vetmja rrugë për çlirimin e Shqipërisë, ishte ajo e kryengritjes së përgjithshme të armatosur dhe ftonte të gjithë shqiptarët të ngriheshin me armë në dorë në luftën për lirinë e Shqipërisë.
Pas fitores së revolucionit xhonturk të vitit 1908, Çerçiz Topulli punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit.
Në shoqëritë dhe klubet patriotike mbrojti interesat e kombit dhe të vegjëlisë.
Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, në disa kryengritje të armatosura, për sprapsjen e grekëve nga tokat e pushtuara në jug (pas konferencës së Londrës), por edhe kundër rebelimit të Haxhi Qamilit në Shqipërinë e Mesme.
Në muajin shtator të vitit 1914 Çerçiz Topullin e Muço Qulli gjenden në Shkodër, ku mendohet të kenë shkuar për t’iu bashkuar mbrojtjes së trojeve nga pushtimi serbo-malazez.
Arrestohen për të parën herë më 28 qershor dhe lirohen shumë shpejt, por arrestohen sërish në 7 korrik 1915 në Fushën e Shtoit (Shkodër) nga një togë malazeze rrugës për në Çetinë.
Për 20 vjet eshtrat e dy heronjve mbetën pa varr, në Shtoj të Shkodrës, deri sa u zbuluan në vitin 1936 nga Javer Hrushidi, mik fëmijërie me Çerçizin dhe prefekt i Shkodrës aso kohe.
Ishte pikërisht ai që identifikoi dhe eshtrat e Çerçizit nga një dhemb floriri, që e kishin të dy të njëjtë.
Veprimtarinë patriotike familjes Topulli, komuniteti gjirokastrit e ka vlerësuar e nderuar në dekada duke i dhënë vendin e merituar në histori.
Në vitin 1936 vdekjen e Bajo Topullit populli i Gjirokastrës e priti me një dhimbje të madhe, varrimi i tij u bë madhështor ashtu siç i takonte një patrioti të madh të Rilindjes Kombëtare.
Shkollës së lagjes “Dunavat”, vendlindjes së tij i dhanë emrin “Bajo Topulli”.
Në vitin 1937 - pa u plotësuar ende një vit nga vdekja e Bajo Topullit - në sheshin qendror të Gjirokastrës, me kontributin financiar të tregtarëve, intelektualëve e njerëzve të thjeshtë patriotë gjirokastritë, skulptori i popullit Odise Paskali, ngriti në bronz monumentin e Çerçiz Topullit.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments