Prishtinë, Kosovë | Gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Kosovës, ministri i Mbrojtjes, i Republikës së Shqipërisë Pirro Vengu u ndal edhe në Komandën Qendrore të KFOR si dhe në Komandën e Zonës Perëndimore në Pejë, ku takoi trupat shqiptare, që shërbejnë përkrah vendeve aleate dhe partnere të NATO-s.
I shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj, ministri i Mbrojtjes Vengu u prit nga komandanti i KFOR gjeneralmajor Özkan Ulutaş, me të cilin ndanë shqetësimin rreth kontekstit të brishtë të sigurisë, kryesisht në veri të Kosovës, duke kujtuar sulmet kriminale dhe terroriste ndaj trupave të KFOR-it si edhe atë në Banjskë, vitin e kaluar.
“Shqipëria mbështet pa asnjë lëkundje KFOR-in si të vetmen garanci për një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë”, tha ministri Vengu, duke falënderuar gjeneralmajor Ulutaş për vendosmërinë dhe maturinë në parandalimin e situatave kërcënuese.
Në bazën e KFOR në Pejë, delegacioni shqiptar u prit nga komandanti italian i bazës, koloneli Mundo, i cili e informoi ministrin Vengu për kontributin e trupave shqiptare, duke theksuar se angazhimi dhe profesionalizmi i tyre vlerësohet nga të gjithë shtetasit e Kosovës dhe veçanërisht nga minoritetet.
Në takimin me kontingjentin shqiptar, ministri Vengu falënderoi gratë dhe burrat e Forcave tona të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që shërbejnë në misionin e KFOR-it, i cili, ka për qëllim sigurinë e të gjithë popullsisë dhe lirinë e lëvizjes në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Rritja e kontributeve të Shqipërisë në misionet e NATO-s, kërkon gjithashtu një vëmendje më të madhe ndaj përmirësimit të kushteve në mision të forcave tona dhe mbështetje të vazhdueshme për familjet e tyre.
Kontingjenti shqiptar në misionin e KFOR-it është rritur së fundmi dhe përbëhet nga 107 efektivë në Komandën Rajonale Perëndimore në Pejë, dhe nga 25 përfaqësues civilë dhe ushtarakë në Shtabin e KFOR-it në Film City, Prishtinë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments