Tiranë, Shqipëri | Ministri i Drejtësisë, i Republikës së shqipërisë, Ulsi Manja priti në një takim pune të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nensi (Nancy) VanHorn.
Ministria e Drejtësisë, në një njoftim për entet mediatike ndau detaje nga takimi i zhvilluar sot në Ministrinë e Drejtësisë.
“Gjatë takimit, ministri Manja e uroi znj. VanHorn për detyrën e saj të re dhe diskutoi në mënyrë të hapur mbi ecurinë e reformës në drejtësi, përfshirë arritjet dhe sfidat e ardhshme”.
Të dyja palët ndanë qëndrimin e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në reformat kyçe dhe të pakthyeshme në fushën e drejtësisë.
Ministri Manja e informoi znj. VanHorn mbi punën e shkëlqyer që po kryhet nga stafet teknike të të dy vendeve në Tiranë, për fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore në agjencitë e zbatimit të ligjit, që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë takimit, u ritheksua angazhimi i përbashkët për të punuar fuqimisht në forcimin e shtetit të së drejtës, zbatimin e plotë të reformës në drejtësi, dhe sundimin e ligjit si rrugë e vetme drejt integrimit të Shqipërisë me Evropën.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn dhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, diskutuan rolin thelbësor të zbatimit të plotë të reformës në drejtësi në rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë para drejt aspiratave euroatlantike.
Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, për të forcuar institucionet e drejtësisë dhe në mbështetje të sundimit të ligjit”, njoftoi Ambasada e SHBA në Tiranë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments