top of page
E BARDHË SHIRIT.png
Writer's pictureAgjencia Telegrafike Vox

MINISTRI GONXHJA: 25 FAMILJE NË BURREL U BËNË ME APARTAMENTE TË REJA | PALLATI I NDËRTUAR NGA ENTI I BANESAVE ËSHTË I PARI NË MAT I PAJISUR ME ASHENSOR.

Burrel, Shqipëri | Enti Kombëtar i Banesave (EKB) përfundoi ndërtimin e një objekti me gjashtë kate në Burrel, ku do të strehohen 25 familje përfituese sipas Ligjit nr.22/2018 “Për strehimin social” (i ndryshuar).

 

Në ceremoninë e organizuar mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i Republikës së Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ku u dorëzuan çelësat e apartamenteve për 25 familje.

 

Do të kemi së shpejti një përmirësim të programit të strehimit. ‘Një fëmijë, një çati’ ku do të fillojmë të kemi edhe paketa për familjet që kanë një fëmijë, që bëjnë fëmijën e parë edhe për punonjës, të cilët të lidhur me zona të ndryshme zhvillimore të vendit do të kenë nevoja strehimi në vende ku nuk ka mundësi strehimi dhe ne do ndërhyjmë edhe për këto.


Po përgatitet edhe një paketë tjetër nga ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për vitin e ardhshëm dhe në vijim për një qasje edhe më të rëndësishme siç është nevoja për strehim”, tha ministri Gonxhja.

 

Trualli në të cilin është ndërtuar objekti ku do strehohen 25 familjet, është me një sipërfaqje prej 4175 metrash katërore.

 

Dikur ka qenë ish-ndërtesa e përpunimit të drurit, e paprivatizuar dhe është ofruar nga Bashkia Mat në funksion të EKB-së.

 

Në truallin e ofruar do të ndërtohen nga Enti Kombëtar i Banesave edhe dy objekte të tjera 6-katëshe, në ndihmë të familjeve në nevojë.

 

Ndërtimi i objektit në Burrel ka zgjatur 2.5 vjet. Afati i përfundimit të ndërtimit të objektit ka qenë 480 ditë kalendarike. Banesat janë me kosto të ulët (BKU) sipas politikave të strehimit të qeverisë Shqiptare.

 

Çmimi i kontratës së ndërtimit të objektit ishte 80.891.187 lekë. Fondi limit i prokuruar ishte 97.069.373 lekë dhe kosto 36.425 lekë për metër katëror. Vlera totale e objektit është 85,000,000 lekë.

 

Objekti është i kolauduar me sistem kapot dhe eficiencë energjie dhe konsiderohet pallati i parë në Mat i cili është i pajisur me ashensor.

 

Në objektin e ndërtuar janë 9 njësi shërbimi dhe 12 garazhe automjetesh nëntokësore, edhe këto shfaqen për herë të parë në Mat.

 

Njësitë e shërbimit dhe garazhet do të shiten nëpërmjet ankandit. Nga 25 familje përfituese, 15 kanë përfituar apartamente me strukturë 2+1 dhe 10 familje kanë përfituar apartamente me strukturë 1+1.

 

Në kategoritë përfituese janë:

1- Pesë familje janë me persona me aftësi të kufizuar (PAK).

2- Tre nëna kryefamiljare.

3- Dy familje me më shumë se 4 fëmijë.

4- Dymbëdhjetë çifte të reja mosha e anëtarit më të madh 40 vjeç.

5- Tre familje në nevojë.

6- Një familje e komunitetit rom e cila i përket dhe kategorisë së familjeve me çifte të reja.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page