
Mandalai, Mianmar | Në muajin shkurt të vitit 2021, grushti ushtarak në Mianmar shënoi fillimin e një krize serioze ekonomike dhe shoqërore (sociale).
E testuar tashmë nga pandemia, ekonomia pësoi një kolaps që la në vështirësi miliona njerëz.
Inflacioni ka arritur në 26%, ndërprerjet e energjisë elektrike kanë ndalur aktivitetet industriale dhe konfliktet në rajonet kufitare kanë paralizuar tregtinë ndërkufitare.
Sot, gati gjysma e popullsisë jeton në varfëri, sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Në këtë kontekst, shumë gra, duke përfshirë profesionistë me arsim të lartë si mjekë, infermiere dhe mësuese, janë shtyrë në punën e seksit si mjetin e fundit për të mbijetuar.
Gazeta amerikane Kohërat e Jorkut të Ri (New York Times) tregon për shembull, historinë e Meit, 26 vjeçe, dikur një mjeke aspirante, e cila, përfaqëson një nga fytyrat e kësaj krize.
Duke punuar si prostitutë për më shumë se një vit në Mandalai, qyteti i dytë më i madh i Myanmarit, Mei e gjeti veten të detyruar të bënte një zgjedhje të dëshpëruar.
“Është e vështirë të pranosh që, pavarësisht gjithë viteve të studimit për të qenë mjeke, tani po e bëj këtë lloj pune vetëm për të përballuar jetesën”, tha ajo.
Me një baba të sëmurë rëndë me dështim të veshkave dhe një pagë mujore prej vetëm 415 dollarësh të gërryer me shpejtësi nga inflacioni, situata e saj ishte bërë e paqëndrueshme.
Kostoja në qiell e lartë e jetesës është goditur rëndë. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Politikave Ushqimore, kostoja e një vakti tipik është rritur me 160%.
Zara, 25 vjeçe, një ish infermiere, përjetoi një histori të ngjashme. Pasi qeveria ushtarake mbylli spitalin ku ajo punonte për shkak të përfshirjes së mjekëve në protesta, Zara u gjend pa punë.
Me nxitjen e një shoqeje, ajo pranoi të bëhej një vajzë takimesh, një formë prostitucioni.
“Klienti im i parë ishte një kinez”, tha ajo. “Ai zgjati rreth 20 minuta, por mua më dukej si një përjetësi. Ishte ferr i pastër”, tha ajo.
Ajo tani fiton rreth 80 dollarë në natë, një shumë që e tejkalon shumë pagën e saj të mëparshme mujore.
Megjithatë, ajo shton: “Ndihem pak në faj që e bëj këtë punë. Nuk është se më pëlqen, është thjesht një domosdoshmëri”.
Kriza ekonomike e pas-puçit ka përkeqësuar më tej kushtet për gratë, tashmë të pafavorizuara në tregun e punës.
Gratë fitojnë mesatarisht 40% më pak se burrat, dhe shkalla e papunësisë së femrave është dukshëm më e lartë.
Për më tepër, shumë fabrika tekstile, të cilat, ofronin mundësi thelbësore punësimi për gratë rurale, janë mbyllur.
Su-ja, 28 vjeçe, një ish-mjeke, tha se i kishte shteruar kursimet e saj dhe i duhej të shkurtonte vaktet e saj të përditshme përpara se t'i dërgonte foto nudo një mësueseje për të marrë klientët.
“Doja të bëhesha pediatre dhe të ndihmoja fëmijët, por grushti i shtetit dhe gjendja financiare e familjes sime nuk më lanë zgjidhje”, shpjegoi ajo. “Është shumë larg nga jeta që kam ëndërruar”, tha ajo.
Puna seksuale nuk është vetëm një zgjedhje e vështirë, por edhe një rrezik. Prostitucioni është i paligjshëm në Mianmar dhe gratë e arrestuara shpesh duhet të paguajnë ryshfet për të fituar lirinë. Megjithatë, dëshpërimi ekonomik ka shtyrë shumë drejt këtij rreziku.
Pavarësisht sakrificave, kriza duket larg zgjidhjes. Junta ushtarake mban kontrollin e qyteteve kryesore të vendit, ku puna seksuale është përhapur në vende të tilla si bare karaoke, klube nate dhe hotele.
Për gratë si Mei, Zara dhe Su-ja, shpresa për një të ardhme më të mirë zbehet çdo ditë e më shumë, ndërsa ato luftojnë për të mbijetuar në një kontekst gjithnjë e më të pasigurt.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentários