Uashington, Amerikë | Enti mediatik Politico duket se ka gjetur dhe profilizuar diversantin e dyshuar ukrainas të tubacioneve të gazit Nord Stream.
Njeriu i akuzuar se qëndron pas sulmit më të rëndë ndaj rezervave energjetike të Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore pozon në Facebook dhe buzëqesh para kamerës buzë detit.
Ky është z. Vladimir Zhuravlev, me origjinë ukrainase, i cili jeton në Kiev dhe është instruktor zhytjeje.
Sipas një raporti të programit gjerman të lajmeve Tagesschau, një urdhër-arrest gjerman u lëshua në muajin qershor për përfshirjen e tij në sulmin e 26 shtatorit 2022 në tubacionet e gazit Nord Stream, të cilat kalojnë nën Detin Baltik për në Gjermani përmes Rusisë.
Hetuesit gjermanë dyshojnë se qytetarët ukrainas morën me qira një jaht të quajtur “Andromeda” dhe zhytësit e përdorën atë për të lundruar në tubacionet pranë ishullit danez Bornholm dhe për të vendosur eksploziv.
Shpërthimet nënujore mbyllën tre nga katër tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 që transportonin gaz natyror nga Rusia në Gjermani.
Që atëherë është krijuar një lojë faji se kush është në të vërtetë fajtori: Rusia, Ukraina, Shtetet e Bashkuara apo Mbretëria e Bashkuar.
“Unë kurrë nuk do të veproja kështu”, tha presidenti ukrainas Volodimir Zelenski vitin e kaluar.
Gazsjellësi Nord Stream 1 kishte funksionuar që nga viti 2011.
Nord Stream 2 ishte përfunduar por nuk kishte filluar ende të pomponte gaz natyror në kohën e sulmeve.
Tubacionet ishin projekte jashtëzakonisht të diskutueshme, me Ukrainën, SHBA-në, Poloninë dhe më shumë duke kritikuar Gjermaninë për gazin rus duke e lidhur atë energjikisht me Rusinë - që ishte, natyrisht, deri në pushtimin e përgjithshëm të Rusisë në Ukrainë në muajin shkurt të vitit 2022.
Pas pushtimit rus, Gjermania ka ndaluar importin e gazit natyror rus.
Vitin e kaluar enti mediatik amerikan Shtypi i Uashingtonit (Washington Post) raportoi se Ukraina planifikoi të sulmonte tubacionet e gazit të Detit Baltik tre muaj para shpërthimeve.
Megjithatë, disa zyrtarë të inteligjencës perëndimore dhe gjermane i thanë Welt am Sonntag dhe POLITICO se ata kishin dyshime për përgjegjësinë e Ukrainës, duke konsideruar provokimin që synonte të mbulonte përfshirjen e Rusisë.
Për më tepër, enti mediatik “Die Zeit” raportoi se autoritetet gjermane ia dërguan urdhrin e arrestit z. Zuravlev në Poloni në muajin qershor, pasi kishin arritur ta identifikonin atë falë fotografive dhe deklaratave të dëshmitarëve.
“Megjithatë, z. Zhuravlev nuk u arrestua sepse ai ishte larguar nga Polonia për në Ukrainë në fillim të muajit korrik”, tha për mediat polake znj. Anna Adamiak, zëdhënëse e Prokurorit të Përgjithshëm të Polonisë.
Ajo shtoi se Gjermania nuk e kishte listuar të dyshuarin në listën e kërkuar, kështu që rojet kufitare polake nuk e dinin se ai kërkohej kur ai kaloi kufirin.
Enti mediatik Tagesschau gjithashtu emëroi dy persona të tjerë si të dyshuar së bashku me z. Zhuravlev - çiftin e martuar Svitlana Uspenska dhe Yevhen U., të cilët drejtojnë një shkollë zhytjeje në Ukrainë dhe për të cilët z. Zhuravlev thuhet se ka punuar si zhytës.
Në një intervistë me POLITICO të mërkurën në mëngjes, z. Svitlana Uspenska tha se as ajo dhe as bashkëshorti i saj nuk ishin të përfshirë në sulm, duke këmbëngulur se ajo ishte në Kiev në atë kohë.
Znj. Uspenska (Ouspenska) konfirmoi se ajo është vetë zhytëse, por thellësia ime maksimale është 30 metra.
Shpërthimet kanë ndodhur në një thellësi prej 70 deri në 80 metrash, gjë që sipas saj mund të jetë bërë nga forcat speciale, por jo nga ajo.
Ajo shtoi se ka në plan të padisë mediat gjermane për disa milionë euro për emërtimin e saj në këtë rast.
Znj. Uspenska i dha POLITICO-s disa fotografi dhe të dhëna gjeografike të lidhura që e shfaqin atë në vende të ndryshme në Ukrainë në vjeshtën e vitit 2022.
Është e paqartë se çfarë roli i atribuojnë autoritetet gjermane asaj dhe bashkëshortit të saj në planifikimin dhe kryerjen e sulmit.
Z. Zhuravlev nuk i është përgjigjur kërkesës së POLITICO-s për koment.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments