Paris, Francë | Z. Emanuel Makron presidenti i Republikës së Francës, ia ka besuar detyrën një eksponenti të krahut të djathtë, ish-komisionerit evropian dhe negociatorit kryesor të BE-së për Brexit-in.
Z. Mishel (Michel) Barnier u emërua kryeministër nga presidenti francez Emanuel Makron (Macron), pas dy muajsh ngërç politik pas zgjedhjeve legjislative të mbajtura në muajt qershor dhe korrik, të cilat nuk i dhanë shumicën asnjërës palë.
Eksponenti i partisë së qendrës së djathtë Les Républicains dhe ish-komisioneri evropian, Barnier do të duhet të udhëheqë vendin në një moment tensioni të madh, duke pasuar tridhjetë e pesë vjeçarin Gabriel Attal, të besuarin e presidentit Makron, por që nuk i ka më numrat në parlament për të qeverisur.
Biografia politike: Z. Mishel (Michel) Barnier, me moshë 73 vjeç, është një politikan i vjetër francez, me një karrierë që e ka parë atë të mbajë poste të spikatura në nivel kombëtar dhe evropian.
Anëtar i partisë së qendrës së djathtë Les Républicains, z. Barnier i hodhi hapat e tij të parë në politikë në një moshë shumë të re: vetëm 22 vjeç, në vitin 1973, ai u zgjodh këshilltar i përgjithshëm i departamentit të Savojës, duke u bërë më i riu në Francë.
Nga atje ai filloi një ngjitje që do ta çonte atë të ulej për disa legjislatura në Assemblée Nationale dhe të hynte në qeveri.
Z. Barnier në fakt do të ishte ministër katër herë: për Mjedisin në qeverinë Shirak II (Chirac II), gjatë viteve 1993-1995, për Çështjet Evropiane në qeverinë Zhupe I (Juppé I) dhe II gjatë viteve 1995-1997, për Punët e Jashtme në qeverinë Raffarin I gjatë viteve 2004- 2005, dhe në Bujqësi në qeverinë Fillon III gjatë viteve 2007-2009.
Por është mbi të gjitha në Evropë që z. Barnier do të lërë gjurmë. Dy herë, midis viteve 1999 dhe 2004 dhe më pas midis viteve 2010 dhe 2014, ai mbajti postin e Komisionerit Evropian, duke u marrë fillimisht me politikën rajonale dhe më pas me tregun e brendshëm dhe shërbimet.
Megjithatë, do të jetë roli i kryenegociatorit të BE-së për Brexit, i marrë në vitin 2016 dhe i ruajtur deri në përfundimin e marrëveshjes në muajin dhjetor të vitit 2020, ai që do ta vendosë atë si një nga fytyrat më të njohura të politikës evropiane.
Një kompetencë, ajo e çështjeve të komunitetit, që mund të rezultojë vendimtare në rolin e ri të kryeministrit.
Me Francën që po përballet me një situatë të vështirë ekonomike dhe sociale dhe me një Bashkimi Evropian të thirrur për t'u përballur me sfida të rëndësishme, nga energjia te migrimi, përvoja e z. Barnier mund të bëjë ndryshimin.
Nuk është rastësi që emri i tij ishte përmendur disa herë për poste drejtuese në Bruksel, si ai i kryetarit të Komisionit.
Reagimet e palëve: Z. Zhan Luk Melenshon (Jean-Luc Mélenchon), kreu i lëvizjes radikale të majtë La France Insoumise (LFI), akuzoi presidentin Makron për injorimin e vullnetit popullor të shprehur në votime, duke vepruar në një mënyrë autoritare.
Z. Melenshon (Mélenchon), i cili aspiroi të bëhej kryeministër pas rezultatit të mirë të koalicionit të tij të majtë, Fronti i Ri Popullor, (NFP) në zgjedhjet legjislative, bëri thirrje për demonstrata proteste dhe një peticion për të hequr presidentin.
Kritika erdhi edhe nga z. Olivier Faure, sekretar i Partisë Socialiste (PS), sipas të cilit emërimi i z. Barnier përfaqëson mohimin e demokracisë. PS është pjesë e aleancës së majtë NFP me LFI.
Natyrisht, toni i partisë presidenciale të Rilindjes është më i kujdesshëm.
Makronistët, megjithëse nuk garantojnë mbështetje të pakushtëzuar për z. Barnier, nuk synojnë ta vendosin veten në një opozitë paragjykuese.
Në të vërtetë, ata drejtojnë gishtin te socialistët për mosmbështetje të kandidaturës së Bernard Kazenev (Cazeneuve), ish-kryeministërit Fransua Holland (François Hollande), duke e detyruar presidentin Makron të shikojë djathtas për të gjetur një kryeministër.
Më në fund, pritet qëndrimi i Rassemblement National (RN) të z. Jordan Bardella-s, partia e ekstremit të djathtë e udhëhequr nga znj. Marine Le Pen.
Z. Bardella tha se partia e tij do të vlerësojë programin e z. Barnier përpara se të vendosë nëse do të mbështesë një mocion të mundshëm mosbesimi në Parlament.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
留言