Tiranë, Shqipëri | Kryetarja e Kuvendit, të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali përkujtoi sot figurën e Rilindjes kombëtare Abdyl Frashërin, në 185-vjetorin e lindjes.
“Kujtojmë kontributin e vyer politik të njërit prej ideologëve më të denjë të Rilindjes Kombëtare.
Guxoj të pohoj se ndër vëllezërit Frashëri dhe rilindasit e tjerë, Abdyli ishte i pari që e ktheu ideologjinë rilindase në projektin e parë politik pas epokës së Skënderbeut, duke i dhënë jetë Lidhjes së Prizrenit.
Besëlidhja e Lezhës dhe Lidhja e Prizrenit, ngjarje kjo e fundit aq hijerëndë sa që Atë Gjergj Fishta i thuri lavde te “Lahuta e Malcisë,” janë të vetmet projekte politike reale shtetformuese para Pavarësisë së Shqipërisë.
Si Kryetare e Kuvendit, e ndjej si përgjegjësi morale dhe politike të përkujtoj Abdyl Frashërin, i cili i dha jetë sytheve të para të historisë parlamentare shqiptare.
Kujtoj me respekt të thellë një detaj që duket se ka ndjekur si peshë kryqi të gjithë politikanët e mëdhenj idealistë shqiptarë: persekutimin e ashpër.
Në pranverën e vitit 1881, kur osmanët shtypën Lidhjen e Prizrenit, ai u arrestua dhe më vonë u internua, derisa ndërroi jetë në vitin 1892.
Burra të tillë shteti japin përherë mësimin se çdo reflektim ideologjik mbetet i përtharë përderisa nuk shndërrohet në veprim politik. Mirënjohje gjithmonë”, tha kryetarja e Kuvendit të RSh, Elisa Spiropali.
Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit që u formua për të mbrojtur copëtimin e trevave shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878) dhe mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të Perandorisë Osmane.
Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, zhvilloi takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.
Më 29 gusht të vitit 1839 lindi në Frashër të Përmetit, Abdyl Frashëri, patriot dhe një nga veprimtarët më të rëndësishëm të Rilindjes kombëtare.
U shqua si personalitet politik gjatë Krizës Lindore, në shekullin XIX. Në Parlamentin e Parë Osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës, u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës (1877) dhe në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve nën Perandorinë Osmane.
Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit që u formua për të mbrojtur copëtimin e trevave shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878) dhe mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të Perandorisë Osmane.
Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, kreu takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.
Në qeverinë e drejtuar nga Ymer Prizreni (1881), Abdyl Frashëri mori përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Jashtme.
Në prill të këtij viti u arrestua.
Në gjyqin që u bë në Prizren u dënua me vdekje, por më pas ky vendim u kthye në burgim të përjetshëm.
Pasi kreu tre vjet dënim në burgun e kalasë së Prizrenit, u dërgua me qëndrim të detyruar në Ballëkesir dhe në Bandërma.
Në vitin 1886 lihet i lirë me kushtin që të mos merret me politikë dhe u caktua anëtar i këshillit të qytetit të Stambollit. Më 11 tetor 1892 ndërroi jetë në Stamboll.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments