Riga, Letoni | Kryetarja e Kuvendit, e Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjendet në Riga për të marrë pjesë në Samitin e Tretë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë, organizuar nga Parlamenti i Letonisë dhe Parlamenti i Ukrainës.
Pasditen e sotme kryetarja Spiropali zhvilloi një takim me kryetaren e Parlamentit të Letonisë, Daiga Mierina.
Kryetaret Spiropali dhe Mierina diskutuan mbi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Letonisë dhe mundësitë e zgjerimit të tyre në fushën e ekonomisë, tregtisë, transportit, mbrojtjes, zhvillimit teknologjik e digjitalizimit, turizmit dhe në fusha të tjera.
Shqipëria dhe Letonia janë partnerë në NATO dhe në kontributet për mbrojtjen e sigurisë, paqes dhe lirisë së kombeve.
Shqipëria dhe Letonia, do të vijojnë mbështetjen e palëkundur për Ukrainën, për sigurinë, kthimin e rendit ndërkombëtar, për një paqe të drejtë të qëndrueshme.
Kryetarja Spiropali falenderoi kryetaren Mierina për mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë, (Letonia është i pari vend anëtar i BE-së që ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Acociimit me vendin tonë).
Kryetarja Spiropali shprehu besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe pas mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Bashkimi Europian-Shqipëri, më 15 tetor 2024 dhe çeljes së negociatave për grup-kapitujt “Themelorët”.
“Shqipëria - nënvizoi Spiropali - do të vijojë reformat demokratizuese dhe integruese, duke u përgatitur për mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së Tretë Ndërqeveritare dhe mirëpresim ekspertizën e Letonisë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”.
Letonia është mes vendeve të para që kanë njohur ekzistencën e Republikës së Kosovës dhe kësisoj kryetarja Spiropali shprehu bindjen se mbështetja politike për Republikën e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments