top of page
E BARDHË SHIRIT.png

KRYETARI I I BASHKISË SË TIRANËS ERION VELIAJ POSTOI NJË SHËNIM NË RRJETIN SOCIAL VIRTUAL FACEBOOK | I CILËSOI IDIOTE AKUZAT PENALE QË I KANË NGRITUR “KOLEGËT” E SPAK-ut NDËRSA PROKURORIN SI LUNATIK.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • Feb 10
  • 2 min read

Updated: Feb 11

Tiranë, Shqipëri | Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ka thyer heshtjen dhe i ka cilësuar idiote akuzat penale të ngritura ndaj tij.

 

Nuk më befason ky fund absurd i këtij kapitulli të gjatë zvarritjeje sa në gojët e qenërisë mediatike dhe sa në duart e një prokurori lunatik, që është një fyerje e gjallë e inteligjencës njerëzore. Por, ky ishte vetëm kapitulli i parë.


Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut. Kam respektuar, si gjithë të tjerët, vijën tonë politike, jo komente për një proces të hapur nga drejtësia.


Besomëni, nuk është e lehtë të heshtësh kur të djeg lëkura sikur të fikin bishta cigaresh në trup nga idiotësitë që të thotë një prokuror, si ai që nuk la dëshmitar pa shantazhuar.


E kam bërë me besimin që kështu duhet dhe nuk pendohem që kam shtrënguar dhëmbët.


Nuk besoj se mediat do të kenë kurajon të zbërthejnë një më një akuzat idiote dhe më vjen tmerrësisht keq që disa sipërmarrës kanë hyrë në dorën e atij të padituri epsharak, për shkak se kanë sponsorizuar aktivitete kulturore për Tiranën.


Më vjen keq për Ajolën, që as djalin nuk e lanë të çojë e marrë nga shkolla, por edhe kjo nuk më befason.


Më vjen keq për nënën time, që zemër plasur në çdo betejë timen këto 20 vite, s’ju ndanë peripecitë prej një jete sakrificash.


Më vjen keq për të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe dua ta dinë që nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani.


Më vjen keq për motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë, siç duket gjasat, përderisa më fusin në burg pa gjyq 3 muaj para zgjedhjeve.


U them të gjithëve atë që i kam thënë kryetarit dhe kujt tjetër më ka pyetur: Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion.


Kjo historia jonë është aq tragjikomike sa njerëzit s’do ta besojnë kur t’i dëgjojnë të zbërthyera një e nga një, idiotësitë e asaj akuze.


Nuk do të jetë e lehtë, se në këto kushte nuk shpjegohesh dot si do dhe sa do, por kam një besim të madh se e vërteta është më e fortë se sa çdo mur dhe se sa çdo idiot që i bëhet asaj barrikadë duke abuzuar me pushtetin e drejtësisë”, tha z. Veliaj, në shënimin e postuar në Facebook.

 

Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page