KRYEMINISTRI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË EDI RAMA DEKLAROI SE NUK DO TA SHKARKOJË NGA DETYRA KRYETARIN E ARRESTUAR TË BASHKISË SË TIRANËS ERION VELIAJ.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Feb 11
- 2 min read

Tiranë, Shqipëri | Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama i doli në mbrojtje kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Z. Veliaj u arrestua nga SPAK-u me miratimin e GkKKO-së, i akuzuar për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe një grupi biznesmenësh pranë tij.
Në një ndryshim të menjëhershëm të kursit ndaj veprimeve të organeve hetimore, kryeministri Rama kaloi nga pozitat “no comment” në akuza të drejtpërdrejta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke e konsideruar arrestimin e z. Veliajt si antikushtetues dhe akuzat ndaj tij si “roman policesk”.
“Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta”, deklaroi kryeministri Rama.
Z. Veliaj, një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit, është ndër zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste në pushtet që arrestohet për vepra penale të korrupsionit, pastrimit të parave, deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.
Më herët, kanë rënë në prangat e SPAK-ut me akuza për afera korruptive të inceneratorëve dhe koncesioneve në Shëndetësi ish-ministrat Lefter Koka dhe Ilir Beqja, ndërsa ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është në arrati.
Për asnjërin prej tyre, kryeministri Edi Rama nuk e ka sulmuar SPAK-un, duke mbajtur pozita “no comment” ndaj vendimeve të drejtësisë penale.
“Sipas kryeministrit Rama, me arrestimin e z. Veliaj, jemi në kushte tërësisht të ndryshme nga të gjitha rastet e mëparshme”.
Ai pretendon se nuk ka një çështje konkrete korrupsioni dhe e krahason dosjen hetimore me një roman voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe të bashkëshortes së tij.
“Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike”, tha kryeministri Rama.
“Qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe i kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar”, tha kryeministri Rama.
Një qëndrim të ngjashëm ai mbajti edhe gjatë një bisede virtuale të drejtpërdrejtë (live) të tejçuar në rrjetet sociale virtuale me komentuesit.
Sipas kryeministrit Rama qëndrimi i ri i mazhorancës do të jetë kritikë konstruktive.
Me iniciativën e kryeministrit Rama prej disa muajsh është ngritur një komision i posaçëm parlamentar, me synim forcimin e sundimit të ligjit, por ky mekanizëm është parë me mosbesim si një përpjekje për kapjen e institucioneve të reja të drejtësisë penale.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments