Budapest, Hungari | “Në llogaritë e Hungarisë në Bruksel janë 12.5 miliardë euro. Këto fonde do të plotësojnë nevojat ekonomike deri në fund të vitit 2026”, deklaroi kryeministri Viktor Orban në intervistën e tij klasike të së premtes dhënë për radion shtetërore “Kossuth”.
Kryeministri Orban shtoi se përveç kësaj shume, Hungarisë i takojnë edhe fonde të tjera, të cilat, sigurisht do të disbursohen, kështu që nuk ka arsye për t'u shqetësuar.
“Nëse nuk i marrim, atëherë Bashkimi Evropian nuk do të ketë buxhet, sepse unë nuk do të jap pëlqimin tim”, tha kryeministri Orban.
Kryeministri hungarez nënvizoi se më së voni deri në vitin 2026 apo 2027, këto shuma do të duhet të disbursohen dhe shtoi se nga këto fonde do të financohet edhe rritja e pagave prej 15 për qind për mësuesit.
Sipas kryeministrit Orban, ekonomia evropiane është në shpërbërje dhe vendimet e marra kanë rritur çmimet e energjisë, duke ulur konkurrencën.
Kryeministri deklaroi se Brukseli duhet të shtyhet për të ndryshuar politikën e tij ekonomike.
“Hungaria duhet të krijojë një mjedis ekonomik konkurrues në mënyrë që fabrikat të mos mbyllen”, tha kryeministri hungarez.
Orban tha gjithashtu se kishte folur me përfaqësuesit e prodhuesve gjermanë të makinave, të cilët, i thanë se ata e konsideronin mjedisin ekonomik hungarez si më të favorshëm se ai i Gjermanisë dhe se vendet e punës në Hungari do të ruheshin.
“Fabrikat e makinave po mbyllen në Gjermani, detyra jonë është të parandalojmë që kjo të ndodhë në Hungari. I gjithë rajoni do të zhytej në dëshpërim nëse Audi ose Mercedes mbylleshin”, tha kryeministri Orban.
“Kam diskutuar temën, këto fabrika do të zhvillohen, do të ruhen vendet e punës, sepse mjedisi ekonomik hungarez është më i favorshëm për to”, shtoi kryeministri.
“Nëse Hungaria operon me shkathtësi dhe mbetet ekonomikisht neutrale, nëse Uashingtoni dhe Pekini janë të rëndësishëm për ne dhe ne gjejmë ekuilibrin e duhur, atëherë gjithçka do të jetë mirë”, tha kryeministri Orban, i cili, më pas foli për programin Demjan, një plan që synon të mbështesë SME-të.
“Ky program do të realizohet përmes Dhomës së Industrisë. Në Hungari ka 900 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat punësojnë dy të tretat e punëtorëve, ndaj zhvillimi i tyre është një çështje thelbësore”, shpjegoi kreu i qeverisë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentários