KROI I FSHATIT TONË | LASGUSH PORADECI (LLAZAR GUSHO).
- Agjencia Telegrafike Vox
- May 10
- 1 min read

Pogradec, Shqipëri | Kroi i fshatit tonë, ujë i kulluar, ç’na buron nga mali, duke mërmëruar.
Venë e mbushin ujë vashat anembanë
cipëzën me hoja lidhur mënjanë,
cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,
gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.
E si mbushin ujë, bubu ç’m’u ka hije,
ndaj kthehen prap me hap nusërije,
ndezur yll i ballit si yll shenjtërie.
II
Kroi i fshatit tonë, ngjyr’ ergjënd i lyer,
që nga rrëz’ e malit ç’na buron rrëmbyer.
Venë e pinë ujë trimat anembanë,
takijen me lule, përmbi sy mënjanë.
Takijen e dlirë, takijen e nxirrë,
buzën në të qeshur…
më të psherëtirë…
Mbrëmave kur uji mërmëron nga-dalë,
vjen t’i thotë trimi vashës nj’a dy fjalë:
Vashëzën bujare që po vin në krua
Siç’e përshëndeta,
siç’m’u turpërua
Papu ula kryet e shikova si grua
III
Kroi i fìshatit t’onë, tetë sylynjarë.
nër tetë krahina qënke kroj i parë.
qënke një në botë, s’paskërke të dytë.
ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë.
Kroi i fshatit tonë, n’atë mal me fletë,
derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë.
posi malli i zemrës mu në gji të shkretë.
Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë,
posi malli i vashës, që djeg në të fshehtë,
posi malli i trimit, që buçet përjetë,
obobo, si malli, që nuk vdes përjetë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments