Tiranë, Shqipëri | Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani dhe kryeprokurori i Posaçëm i Malit të Zi, Vladimir Novoviç nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, z. Dumani theksoi përkushtimin e Prokurorisë së Posaçme si dhe rëndësinë e shkëmbimit të informacionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Z. Novoviç vlerësoi punën e SPAK-ut duke nënvizuar rolin e hetimeve penale të përbashkëta dhe ndihmës së ndërsjellë juridike.
Dy kryeprokurorët folën gjithashtu mbi nevojën e ndarjes së eksperiencave në nivel ekspertësh lidhur me praktikat më të mira të institucioneve që ata përfaqësojnë.
Nënshkrimi i këtij memorandumi është një tjetër hap pozitiv në thellimin e marrëdhënieve me institucionet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të armëve, lëndëve narkotike dhe krimit kibernetik.
Prokuroria e Posaçme vijon të ndërtojë marrëdhënie strategjike me agjencitë ligjzbatuese në rajon duke rritur efikasitetin dhe bashkëpunimin në luftën kundër sfidave të përbashkëta.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments