top of page
E BARDHË SHIRIT.png

KREMLINI I ZËNË NË GRACKË NGA OPERACIONI USHTARAK UKRAINAS I KODUAR “RRJETA E MERIMANGËS”.

  • Writer: Agjencia Telegrafike Vox
    Agjencia Telegrafike Vox
  • 6 days ago
  • 4 min read

Nga z. Roman Sheremeta*.

Kllevllend (Cleveland), Ohaio (Ohio), Amerikë | Pak operacione ushtarake arrijnë të kombinojnë shkëlqimin taktik, përçarjen psikologjike dhe dëmin ekonomik në mënyrë aq efektive sa sulmi i Operacionit “Rrjeta e Merimangës” i Ukrainës më 1 qershor 2025.

 

Ky sulm i guximshëm thellë në territorin rus nuk dëmtoi vetëm bazat ajrore dhe shkatërroi avionët.

 

Ai rishkruan rregullat e luftës asimetrike në shekullin e 21-të.

 

Gjatë 18 muajve, forcat speciale ukrainase planifikuan me përpikëri një mision që kulmoi në një nga sulmet strategjike më të rëndësishme që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë rus.

 

Duke përdorur kontejnerë mallrash të ndërtuar sipas porosisë për të fshehur dronët - të fshehur në kuti druri të montuara poshtë çatisë - operativët ukrainas arritën të transportonin dronë sulmi gati 5000 km (3000 milje) përgjatë territorit rus.

 

Shoferët rusë, të pavetëdijshëm, i dorëzuan kamionët pranë bazave kryesore ajrore ruse.

 

Pasi u vendosën në pozicion, çatitë e kontejnerëve u hapën nga distanca, duke lëshuar tufa dronësh drejt bombarduesve me rreze të gjatë veprimi të Rusisë.

 

Rezultatet ishin tronditëse, madje edhe në vlerësimet më të ulëta. Sulmet goditën katër fusha ajrore të ndara ruse dhe nuk ka asnjë argument se ato shkaktuan dëme serioze.

 

Zyrtarët e inteligjencës ukrainase pretenduan se kishin dëmtuar ose shkatërruar mbi 40 avionë nga një flotë operative prej rreth 80.

 

Kjo do të përfaqësonte një goditje të egër. Vlerësimet e inteligjencës me burime të hapura duke përdorur imazhe satelitore konfirmuan 13 humbje, ndërsa zyrtarët perëndimorë të cituar nga gazeta Kohërat e Jorkut të Ri (New York Times) thanë se numri i avionëve të shkatërruar dhe të dëmtuar rëndë ishte 20.

 

Midis avionëve ishin aeroplanë mbikëqyrës A-50 dhe bombardues strategjikë Tu-95 dhe Tu-22M3 - aeroplanë qendrorë për sulmet me raketa kruiz me rreze të gjatë veprimi të Rusisë në qytetet ukrainase.

 

Vlerësimet paraprake e çojnë koston financiare deri në 7 miliardë dollarë. Ndoshta më kritike është se shumë prej këtyre avionëve nuk janë më në prodhim. Ajo që u humb nuk mund të zëvendësohet lehtë.

 

Ka pasur sulme të mëparshme dhe të rëndësishme ndaj bazave ajrore ruse, por asgjë e kësaj shkalle, as gjatë kësaj lufte apo ndonjë tjetre. Është thjesht e pashembullt.

 

Por gjenialiteti i Operacionit “Rrjeta e Merimangës” nuk qëndron vetëm në ekzekutimin e tij teknik apo ndikimin fizik.

 

Është po aq një masterklas në luftën psikologjike dhe ekonomike.

 

Në vend që të fshihte detajet e operacionit, Ukraina zgjodhi t’i zbulonte ato publikisht - një vendim strategjik që shkaktoi tronditje në të gjithë sistemin rus.

 

Duke zbuluar se si u krye misioni, Ukraina e përdori paranojën si armë.

 

Tani, çdo kamion mallrash në Rusi është një kërcënim potencial. Çdo shofer është i dyshuar.

 

Në ditët pas sulmit, u raportuan bllokime masive trafiku në rajone si Irkutsk, ndërsa autoritetet filluan të inspektonin sistematikisht kamionët e mallrave.

 

Burimet e mbikëqyrjes dhe të sigurisë së brendshme po devijohen për të monitoruar dhjetëra mijëra kilometra autostradë.

 

Logjistika ushtarake dhe civile po ngadalësohet. Kontraktorët po shihen me dyshim. Po formohen pengesa. Besimi po gërryhet.

 

Kjo është fytyra e re e luftës asimetrike.

 

Ukraina nuk ka nevojë të përballet me Rusinë aeroplan për aeroplan. Ajo vetëm duhet ta detyrojë Rusinë të dyshojë në integritetin e sistemeve të veta.

 

Kur një vend aq i madh sa Rusia fillon të mos i besojë zinxhirëve të vet të furnizimit, ai fillon të shpërbëhet nga brenda.

 

Efektet e valëzuara të këtij operacioni ka të ngjarë të jenë afatgjata. Makineria ushtarake e Rusisë është thellësisht e varur nga transporti rrugor, i cili, përbën afërsisht 70% të vëllimit të ngarkesave të saj.

 

Kostoja e vonesës, inspektimit dhe ridrejtimit të këtij vëllimi është e jashtëzakonshme.

 

Ndikimi psikologjik mbi një popullsi që është tashmë nën stres nga sanksionet, rekrutimi ushtarak dhe rënia ekonomike është edhe më i madh.

 

Operacioni “Rrjeta e Merimangës” u jep gjithashtu një mesazh të fuqishëm aleatëve të Ukrainës në Perëndim: kjo është ajo që mund të arrijë qartësia strategjike dhe inovacioni.

 

Ukraina nuk po i kërkon NATO-s të luftojë në emër të saj. Po demonstron se, me burimet dhe lirinë e duhur për të vepruar, mund të shkaktojë dëme të mëdha në kapacitetin luftarak të Rusisë.

 

Ajo që i duhet është mbështetja: armë, logjistikë dhe presion i vazhdueshëm ekonomik mbi Kremlinin.

 

Operacioni shërben si një model se si kombet më të vogla mund të përballen me sukses me kundërshtarë ushtarakisht superiorë përmes kreativitetit, vendosmërisë dhe komunikimit strategjik.

 

Ai nënvizon rëndësinë jo vetëm të taktikave të betejës, por edhe të luftës psikologjike, transparencës operacionale dhe armëzimit të dyshimit.

 

Ja se si e ndal një luftë: jo vetëm duke mbrojtur territorin tënd, por duke depërtuar thellë në zemrën e sistemit të agresorit dhe duke ia lëkundur vetëbesimin.

 

Ndërsa Rusia përpiqet t’i përgjigjet kësaj shkeljeje, një gjë është e qartë: Operacioni “Rrjeta e Merimangës” do të studiohet në të gjithë botën për rreziqet e reja me të cilat përballen forcat e armatosura dhe infrastruktura civile.

 

Akademitë ushtarake do ta shqyrtojnë me kujdes sulmin për dekada të tëra.

 

Nuk është thjesht një sukses i Ukrainës; është një paralajmërim për të gjithë ata që besojnë se distanca ose madhësia mund të garantojnë sigurinë.

 

Ukraina ka vërtetuar të kundërtën.

 

*Z. Roman Sheremeta, Ph.D., është Profesor i Ekonomisë në Universitetin Case Western Reserve. 

 

Nga z. Erton Duka.

© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox

Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

Comentarios

Obtuvo 0 de 5 estrellas.
Aún no hay calificaciones

Agrega una calificación
bottom of page