Tiranë, Shqipëri | Ndihmësja ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Klerona Meçi u konfirmua në detyrë më 9 prill 2024 me shumicën e votave të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, komisionereve Alma Faskaj dhe Pamela Qirko, të cilat konkluduan se ky subjekt rivlerësimi kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurën, si dhe kualifikues për profeisonalizmin.
Relatorja Pine doli në pakicë me mendim kundër, duke çmuar se znj. Meçi gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurisë dhe se për gjetje në kriterin e figurës të konsideruara në vlerësimin tërësor, ka cënuar besimin të publikut tek drejtësia pasi ka kryer deklarime të pasakta në kriterin e figurës.
Gjatë seancës dëgjimore më 5 prill 2024 znj. Meçi dha shpjegime për mungesat financiare të babait për blerjen e një apartamenti të përdorur prej saj, si dhe lidhur me mos deklarimin në formularin e kontrollit të figurës të një hetimi ndaj të atit për “Pastrim të produkteve të veprës penale…”.
Pas kalimit të barrës së provës, shumica vlerësoi se subjekti kishte arritur të shpjegonte bindshëm burimin e apartamentit të përdorur.
Mospasqyrimi në deklaratën “Vetting” i pasurive të familjarëve nga ana e subjektit, është konsideruar si një pasaktësi që nuk mund të sjellë penalizim, pasi bilanci financiar ka rezultuar pozitiv.
Relatorja Pine në pakicë argumentoi se të ardhurat nga bujqësia të pretenduara nga znj. Meçi se janë realizuar nga gjyshi si bujk, mbeten vetëm në kuadrin deklarativ e për rrjedhojë nuk arrihet të provohet mundësia financiare për pasurinë që subjekti ka pasur në përdorim.
Lidhur me mosdeklarimin e hetimit ndaj të atit, shumica çmoi se, pavarësisht dijenisë ose jo të saj lidhur me këtë fakt, babai nuk ka figuruar si person i regjistruar në regjistrin e veprave penale si autor i veprës penale dhe për rrjedhojë nuk mund të konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm.
Relatorja Pine vërejti se subjekti ka punuar si jurist në një shoqëri ku babai ishte ortak, ndërkohë që për një periudhë të konsiderueshme kohe nuk i është kredituar paga, për shkak se llogaritë kanë qenë të bllokuara nga prokuroria.
Sipas pakicës, këto të dhëna rrëzojnë pretendimet e subjektit për padijeninë lidhur me procedimin penal të babait dhe shoqërisë ku ajo ishte e punësuar.
Relatorja Pine konkludon se subjekti ka kryer deklarime të pasakta lidhur me komponentin e figurës që cënon besueshmërinë e saj.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa nuk ndan të njëjtin qëndrim me Komisionin lidhur me ligjshmërinë e pasurive në përdorim.
Sipas Komisionerit, mospërmbushja e detyrimit ligjor për të deklaruar burimin e krijimit të pasurive sipas përcaktimeve ligjore, të personave të lidhur dhe pasurive të tyre ka çuar më së paku në pamundësi të kontrollit nga organet e rivlerësimit.
Për rrjedhojë, ai e vlerëson deklarimin e subjektit të paplotë e të pavërtetë, duke konsideruar dhe faktin se znj. Meçi nuk arriti të përmbysë barrën e provës, për të provuar bindshëm burimet ligjore të pasurive në përdorim dhe në pronësi.
Sipas Komisionerit, gjendet i pambështetur vlerësimi i Komisionit mbi konsiderimin në mesin e burimeve të ligjshme të babait të subjektit dhe të ardhurat neto nga interesat bankarë, duke argumentuar se nuk duket që transaksioni i pagesës të këstit të parë të apartamentit të ketë të bëjë vetëm me interesat e akumuluara, duke qenë se janë kryer disa transaksione të ndryshme.
Po ashtu, komisioneri Ballhysa vlerëson se nuk mund të konsiderohen si burim të tjera të ardhura të pretenduara, për të cilat, nuk janë paguar detyrimet tatimore.
Në vijim, Komisioneri vëren se investimet e kryera në pasuri të luajtshme e të paluajtshme të personave të lidhur me subjektin, tejkalojnë ndjeshëm edhe tepricën pozitive të pretenduar nga vetë znj. Meçi.
Pretendimet e subjektit për përfshirje të të ardhurave nga aktiviteti blegtoral i gjyshërve, përveçse konsiderohet nga komisioneri Ballhysa si një burim i ri i shtuar vetëm në përfundim të hetimit administrativ shtesë, ato mbeten të paprovuara.
Komisioneri vlerëson në përfundim se sjellja e subjektit të rivlerësimit me mosdeklarimin e personave të lidhur në deklaratën “Vetting”, veprimi i shkëputjes nga certifikata familjare në momentin kur ligji për vetingun e magjistratëve ishte në fuqi, si dhe mungesa e burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive, janë rrethana që tregojnë për një qasje që e vendosin znj. Meçi në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe cenimit të besimit.
Në përfundim, komisioneri Ballhysa kërkon ndryshimin e vendimarrjes së Komisionit për këshilltaren ligjore Klerona Meçi dhe shkarkimin e saj nga detyra.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments