KINA MIRATOI “LIGJIN E RIMISHËRIMIT” | KËRKESAT PËR T'U BËRË BUDË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jul 6
- 2 min read

Pekin, Kinë | “Qeveria kineze kundërshton çdo përpjekje nga organizatat ose individët e huaj për të ndërhyrë ose për të diktuar procesin e rimishërimit të Dalai Lamës”.
Kjo u shkrua në një postim në rrjetin social virtual Iks (X) nga ambasadori kinez në Indi, Shu (Xu) Feihong, në lidhje me polemikën e vazhdueshme mbi pasardhësin e mundshëm të udhëheqësit shpirtëror tibetian.
“(Rajoni Autonom Xizang) është një pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez. Budizmi tibetian ka origjinën e tij në Rrafshnaltën Çinghai-Tibet të Kinës. Rajonet kryesore ku praktikohet Budizmi tibetian ndodhen brenda Kinës. Gjeografia e Dalai Lamave mori formë dhe evoluoi në rajonin e Tibetit të Kinës”, shkroi diplomati, duke pretenduar se dhënia e statusit dhe titujve të tyre fetarë është prerogativë e qeverisë qendrore kineze dhe se rimishërimi dhe trashëgimia e Dalai Lamës janë në thelb një çështje e brendshme e Kinës.
Ambasadori shpjegoi se qeveria kineze ka shpallur “Masat Rregullatore mbi Rimishërimin e Budave të Gjallë të Budizmit Tibetian”.
Rregullorja përcakton kërkesat për rimishërimin e Budave të gjallë, procedurat për miratimin e rimishërimit dhe përgjegjësitë përkatëse të organizatave fetare dhe autoriteteve qeveritare.
Dalai Lama njoftoi të mërkurën se institucioni i tij do të vazhdojë pas vdekjes së tij, duke konfirmuar qëllimin e tij për të emëruar një pasardhës dhe duke iu përgjigjur thirrjeve nga budistët dhe mbështetësit në mërgim dhe në Tibet.
“Unë konfirmoj se institucioni i Dalai Lamës do të vazhdojë”, tha ai, duke specifikuar se përgjegjësia për identifikimin e rimishërimit të ardhshëm do të mbetet vetëm te Fondacioni Gaden Phodrang me seli në Indi.
“Askush tjetër nuk ka autoritetin të ndërhyjë”, shtoi ai.
Udhëheqësi shpirtëror tibetian ka thënë vazhdimisht se rimishërimi i tij do të ndodhë jashtë Kinës dhe u ka bërë thirrje ithtarëve të tij të refuzojnë çdo figurë të caktuar nga Pekini.
Pas deklaratave të së mërkurës, qeveria indiane sqaroi se nuk merr qëndrim ose nuk prononcohet për çështje që lidhen me besimet dhe praktikat e besimit dhe fesë; ajo gjithmonë ka mbështetur lirinë e fesë për të gjithë në Indi dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme indiane Randhir Jaiswal bëri deklaratën në përgjigje të raporteve të shtypit lidhur me deklaratën e Shenjtërisë së Tij Dalai Lama mbi vazhdimin e institucionit të Dalai Lamës.
Pekini e konsideron Dalai Lamën një udhëheqës separatist, ndërsa udhëheqësi tibetian e quan veten një murg të thjeshtë budist.
Njoftimi ka të ngjarë të nxisë tensione me Kinën, të cilën, shumë tibetianë në mërgim besojnë se mund të emërojë pasardhësin e vet për të legjitimuar kontrollin e saj mbi Tibetin.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments