Uashington, Amerikë | “Nëndetësja e parë sulmuese me energji bërthamore e Kinës e klasës Zhou thuhet se u mbyt pranverën e kaluar”, i thanë burimet e saj gazetës Wall Street Journal, në kushte anonimiteti.
Sipas tyre incidenti ndodhi në një kantier detar pranë qytetit të Uhanit (Wuhan), në fund të majit ose në fillim të qershorit.
Kina po zhvillon klasën e re të nëndetëseve me energji bërthamore si pjesë e një programi madhor për të modernizuar dhe zgjeruar marinën e saj.
Zyrtarët amerikanë që folën për gazetën në fjalë nuk mund të thoshin nëse nëndetësja mbante karburant bërthamor kur u mbyt, por ekspertët jashtë qeverisë federale thanë se ishte e mundshme.
Prodhimi i nëndetëseve bërthamore të Kinës zakonisht kryhet në qytetin verilindor të Huludao, por qeveria raportohet se kohët e fundit ka filluar të zhvendosë punën e nëndetëseve të sulmit bërthamor në kantierin detar Uçang (Wuchang), në Uhan (Wuhan).
“Nëndetësja e fundosur - raportoi gazeta Wall Street Journal - është ndërtuar nga Korporata Shtetërore e Ndërtimit të Anijeve të Kinës.
Pamjet satelitore të marra nga gazeta tregojnë nëndetësen e ankoruar në një skelë përgjatë lumit Jangace (Yangtze), në fund të muajit maj.
Pamjet e tjera, nga fillimi i muajit qershor, tregojnë vinça lundrues që punojnë për të hequr rrënojat nga shtrati i lumit”.
“Incidenti do të ngadalësojë planet e Kinës për të zgjeruar flotën e saj të nëndetëseve bërthamore; është domethënëse”, tha z. Brent Sadler, një ish-oficer i marinës amerikane, që tani punon si analist në Fondacionin Heritage.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments