Volos, Greqi | Autoritetet greke filluan mbledhjen e qindra mijëra peshqve të ngordhur që u lanë në një marinë në qytetin e Volosit (Greqia qendrore), këtë javë, pasi u zhvendosën nga habitati i tyre natyror i ujërave të ëmbla, nga përmbytjet e vitit të kaluar, në Thesali.
Peshqit e ngordhur krijuan një lëmsh mbi port dhe një erë të keqe që alarmoi banorët dhe autoritetet që nxituan t'i mblidhnin para se era të arrinte restorantet dhe hotelet aty pranë.
“Ajo shtrihet për kilometra”, tha këshilltari i qytetit Stelios Limnios, për entin mediatik Rojtërs Online (Reuters Online).
“Nuk është vetëm përgjatë bregut, por edhe në qendër të Gjirit Pagasean”, tha ai, duke iu referuar zonës jashtë Volos.
Të mërkurën, anijet e peshkimit përdorën rrjeta për të mbledhur peshqit, të cilat më pas u hodhën në karroceritë e kamionëve.
“Më shumë se 40 tonë janë grumbulluar në 24 orët e fundit”, thanë autoritetet.
Kryetari i bashkisë së Volos, Arqile Beosi (Achilleas Beos), tha se era ishte e padurueshme.
Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, ai fajësoi qeverinë për mos adresimin e problemit përpara se të arrinte në qytetin e tij.
Ai tha se peshqit e kalbur mund të krijojnë një katastrofë mjedisore për speciet e tjera në zonë.
Ekspertët thanë se problemi u shkaktua nga përmbytjet rekord të vitit të kaluar që përmbytën fushën e Thesalisë më në veri.
Përmbytjet mbushën liqenin Karla aty pranë, i cili ishte drenazhuar në vitin 1962 në një përpjekje për të luftuar malarien, duke e fryrë atë në trefishin e madhësisë normale.
Ujërat e liqenit që atëherë janë tërhequr në mënyrë dramatike, duke detyruar peshqit e ujërave të ëmbla që përfunduan në Karla të drejtohen përmes një kanali në portin e Volosit që derdhet në Gjirin Pagasean, dhe në Detin Egje, ku nuk mund të mbijetojnë.
Në grykëderdhjen e kanalit që të çon në Volos nuk ishte vendosur një rrjetë, shtuan ekspertët dhe kur peshqit u ndeshën me detin, uji i kripur ndoshta i ka vrarë.
“Ata nuk bënë të dukshmen, vendosjen e një rrjetë mbrojtëse”, tha kryebashkiaku Beos, duke iu referuar shërbimeve qeveritare.
Për këtë rast ka nisur hetimi penal dhe administrative për të zbardhur çdo përgjegjësi.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments