
Uashington, Amerikë | Byroja Federale e Hetimeve të Shteteve të Bashkuara (FBI) ka paditur një punonjës të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Asif Rahman, për bërjen publike të informacionit shumë të klasifikuar mbi sulmin e Izraelit ndaj Iranit më 26 tetor.
Këtë e ka bërë të ditur televizioni “CNN”, duke cituar dokumentet e gjykatës dhe një person të njohur me rastin.
I dyshuari u arrestua të martën e kaluar, më 5 nëntor 2024, në Kamboxhia, dhe më pas u akuzua më 7 nëntor 2024 për fshehje dhe ndarje të informacionit në lidhje me mbrojtjen kombëtare.
Z. Rahman fillimisht do të paraqitet në gjykatë në ishullin Guam, megjithëse Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka kërkuar një gjyqtari federal që ta transferojë atë në Virxhinia për gjykim.
Burime të njohura me faktet raportojnë se z. Rahman ishte punonjës i CIA-s dhe kishte një leje sigurie që i lejonte atij të aksesonte informacione shumë të klasifikuara.
Dokumentacioni në fjalë u publikua në mes të muajit tetor nëpërmjet një llogarie në Telegram të quajtur “Middle East Spectator” dhe përmbante indikacione që mund të ishin të njohura vetëm për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj më të afërt për sa i përket shkëmbimit të informacionit të inteligjencës (të ashtuquajturat “pesë sytë”: Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Mbretëria e Bashkuar).
Ndër dokumentet e publikuara nga z. Rahman ishin planet e Izraelit për transferimin e municioneve dhe stërvitjet e forcave ajrore me raketa ajër-tokë.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments