
Kuito, Akuador | Shqiptarët dhe italianët janë aleatë në dërgesën e kokainës në Evropë, nga portet e Guaiakuilit (Guayaquil) dhe El Oro-s, falë strukturave solide të ndërtuara më shumë se 15 vjet më parë në Ekuador dhe në Kolumbi.
Qeveritë e Italisë dhe Ekuadorit po kryejnë projekte bashkëpunimi për shkëmbimin e informacionit dhe trajnimin, me qëllim që të luftojnë në mënyrë më efektive pastrimin e parave dhe të gjenerojnë ligje dhe reforma të reja për të ndaluar përparimin e këtyre grupeve transnacionale.
Një partneritet i fuqishëm biznesi kriminal midis klaneve mafioze italiane dhe shqiptare dhe fraksioneve të tjera kriminale ballkanike mbështet trafikun në shkallë të gjerë të kokainës dhe drogave të tjera nga Ekuadori në Evropë.
Në Ekuador, këto përfshijnë kontrollin e rrugëve, logjistikën, krijimin e kompanive për pastrim parash dhe eksport, si dhe mbështetje operacionale për bandat lokale, me mijëra anëtarë dhe operatorë të padukshëm në shtet, sipas agjencive të inteligjencës kundër drogës në Ekuador dhe Evropë.
Kjo aleancë nuk është e re, ajo daton katër dekada më parë, në fund të viteve 1980.
Që atëherë, shqiptarë dhe njerëz nga vendet e Ballkanit janë përfshirë në rrjete kriminale të trafikut të kokainës dhe krimeve të tjera të lidhura me to, si vartës të mafies italiane.
Në fund të viteve 1990, rreth 10600 shqiptarë, përfshirë kriminelë të rëndë, emigruan ilegalisht në Pulia, Itali, pasi qeveria nisi një goditje të paprecedentë ndaj 23 grupeve kriminale, sipas një raporti nga Walter Kemp, Iniciativa Globale Kundër Krimit Transnacional.
Në atë kohë, në Shqipëri kishte arrestime sistematike për trafikim njerëzor, kontrabandë emigrantësh, trafik armësh dhe vjedhje makinash.
Në vitet në vijim, shqiptarët dhe klane nga vendet e tjera të Ballkanit u përfshinë plotësisht në tregtinë e heroinës dhe kanabisit dhe filluan të zgjerohen jashtë Evropës.
Ndërmjet viteve 2008 dhe 2009, këto grupe zbarkuan në Amerikën Latine për të marrë kontrollin e biznesit të kokainës, duke përdorur Kolumbinë dhe Ekuadorin si zona strategjike të veprimit, sipas agjentëve kundër drogës.
Që nga viti 2008, ky rajon është kthyer në qendër të vëmendjes së grupeve kriminale ballkanike, të cilët, kanë krijuar lidhje me furnitorë të rinj në tregun europian, të ardhur nën maskën e biznesmenëve, eksportuesve të frutave dhe lëndëve të tjera të para.
Në krimin e organizuar, si në pronat e paluajtshme, lokacioni është gjithçka, thuhet në raportin e Iniciativës Globale.
Ekuadori ndodhet midis Kolumbisë dhe Perusë, të cilat, prodhojnë rreth 90 për qind të kokainës në botë.
Një tjetër faktor kontribues ishte dobësia e dukshme institucionale, korrupsioni i gjyqësorit, si dhe vendimet e qeverisë që minuan kontrollin kundër drogës, si mbyllja në vitin 2009 e bazës ushtarake amerikane në Manta, nga ku u kryen qindra misione antidrogë për dhjetë vjet në korridorin e Paqësorit.
Kështu, shqiptarët kishin një rrugë të qartë për të ngritur strukturat e tyre komplekse kriminale dhe për ta kthyer në heshtje Ekuadorin në platformën e tyre të biznesit transnacional.
EKUADORI I KËRKON MBËSHTETJE ITALISË.
Pas vitit 2020, kapja në Evropë e qindra tonëve kokainë që po largoheshin nga Ekuadori ranë në alarm. Vendet evropiane u bënë destinacioni kryesor i drogës, duke e zbritur tregun amerikan në vendin e dytë.
Për shkak të depërtimit të përshpejtuar të operatorëve nga këto klane mafioze vitet e fundit në sektorë të ndryshëm publikë dhe privatë të Ekuadorit, autoritetet qeveritare kanë kërkuar ndihmë dhe mbështetje nga shteti italian, i cili po ofron trajnime (me një prokuror në krye) se si të përballen në mënyrë më efektive.
Sidomos në sulmin për pastrimin e parave dhe përgatitjen e paketave të ligjeve dhe reformave.
Njësia e Analizës Financiare (UAFE) dhe Mbikëqyrja e Kompanive janë institucionet e para që kërkuan mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria italiane, e cila, ka përvojë të madhe në luftimin e mafies siciliane që nga vitet 1980, ky vend është gjithashtu i interesuar të bashkëpunojë me Ekuadorin, duke qenë se operacionet e krimit transnacional po i prekin drejtpërdrejt ata për shkak të rritjes së trafikut në qytetet zyrtare dhe evropiane.
Edhe pse mafia ka humbur fuqinë në Itali, ajo është bërë më e fortë në nivel transnacional, pikërisht për shkak të lidhjeve me familjet italiane të vendosura jashtë vendit dhe aleancave të saj me klane dhe kartele të tjera kriminale, veçanërisht ato shqiptare.
Gjatë 20 viteve të fundit, grupet kriminale në Ballkanin Perëndimor janë globalizuar dhe po lëvizin në zinxhirin e vlerave të veprimtarisë kriminale.
Tentakulat e këtij oktapodi tani shtrihen në të gjithë globin: nga furnizimi me kokainë në Amerikën Latine deri në rrugët e Evropës Perëndimore; nga rrugët e shpërndarjes së heroinës në Turqi në Evropë; nga fushat e kanabisit në Shqipëri në Turqi dhe Bashkimin Evropian (BE).
Ballkani Perëndimor mbetet qendra e kësaj tregtie - si një rajon tranzit, si një terren rekrutimi për këmbësorët e grupeve dhe si një vend i sigurt për t'u fshehur dhe investuar ose pastruar fitimet e fituara në mënyrë të paligjshme - por veprimi kryesor zhvillohet jashtë vendit.

Koloneli Holguer Kortez (Cortez), drejtor i Njësisë Kundër Narkotikëve, konfirmoi në një intervistë për Kodixhio (Código) Vidrio se shqiptarët dhe italianët operojnë në Ekuador si aleatë për dërgimin e kokainës në vendet evropiane.
Ata mbështeten në shërbimet e bandave që transportojnë drogë nga kufiri me Kolumbinë në vendet e magazinimit dhe më pas në portet.
Kjo dinamikë është shumë më e qartë sot për policinë ekuadoriane, falë shkëmbimit të informacionit me homologët e tyre në Itali, Shqipëri dhe vende të tjera evropiane, të cilat kanë thelluar mekanizmat e tyre të bashkëpunimit vitet e fundit.
Ky koordinim transnacional tashmë po jep rezultate.
Në vitin 2024, 295 ton kokainë u kapën në Ekuador, një shifër rekord, ndërsa kapjet në portet evropiane të destinacionit ranë në mënyrë dramatike.
Një shembull i qartë është Belgjika (destinacioni kryesor i kokainës deri në vitin 2023), ku u kapën 44 ton vitin e kaluar, 71 më pak se në vitin 2023.
“Kjo është një arritje e rëndësishme pasi përbën një goditje vdekjeprurëse për ekonomitë e këtyre organizatave mafioze, të cilat humbën rreth 6 miliardë dollarë për shkak të këtyre konfiskimeve, të cilat, mund të shtojnë në pah sulmet e shumta të njerëzve në qytete, të cilat, kërkojnë të krijojnë terror në mesin e popullatës dhe të diskreditojnë operacionet e forcës publike. Të dobësojë shtetin”.
KAPJA E DRITAN REXHEPIT NGRE ALARMIN.
Në Ekuador, policia italiane ka filluar të monitorojë nga afër operacionet e shqiptarëve nga Kompania (Compañia) Bello dhe të italianëve nga Ndrangheta që nga kapja e bosit shqiptar të drogës Dritan Rexhepi në një operacion antidrogë në Guaiakuil në vitin 2014.
Z. Dritan Rexhepi mbërriti në Ekuador rreth vitit 2011. Ai ishte pjesë e një vale kriminelësh të rrezikshëm, shumë prej të cilëve kishin lidhje të thella me grupet kriminale në Evropë.
Ekuadori kishte filluar të shfaqej si një qendër tranziti për trafikun e kokainës: rezidenca ishte relativisht e lehtë për t'u marrë, falë figurës kushtetuese të Shtetësisë Universale, të miratuar në vitin 2008.
Sipas agjentëve të antidrogës, kishte pak vështirësi për të huajt në blerjen e pronave dhe ngritjen e bizneseve.
Z. Rexhepi, i cili kishte shumë identitete të rreme, u ul si një biznesmen grek, sipas të dhënave të gjykatës.
Deri atëherë, ai ishte bërë një nga kriminelët më të kërkuar në Evropë.

Në fakt, ai ishte arrestuar për trafik droge në Holandë dhe ishte ekstraduar në Itali, ku ishte dënuar me 13 vite burg.
Në vitin 2011, ai dhe dy shqiptarë të tjerë u arratisën nga burgu pranë Milanos.
Muaj më vonë, ai u arrestua në Spanjë, por u ekstradua në Belgjikë, ku kërkohej për rolin e tij në një grabitje të dhunshme vite më parë.
Por burgu belg i sigurisë së ulët nuk mund ta mbante Rexhepin. Edhe një herë, ai shpëtoi.
Megjithatë, rreziku i kapjes në Evropë ishte i pashmangshëm. Pikërisht atëherë Rexhepi vendosi të vinte në Ekuador për të operuar në baza më të përhershme.
Atje ai ndërtoi rrjetin e tij duke përdorur kompani frontale legjitime, thanë prokurorët italianë për gazetën amerikane Shtypi i Uashingtonit (Washington Post), e cila, botoi një hetim të plotë mbi rritjen e shqiptarëve në tregun global të kokainës.
Ai e kishte të lehtë të krijonte kontakte në të gjitha nivelet për shkak të rrjedhshmërisë së tij në spanjisht, italisht dhe anglisht.
Kjo i mundësoi të kuptonte lehtësirat që ofron sistemi për të operuar lirshëm me të gjitha llojet e kompanive, pa asnjë kontroll.
Në atë moment ai zbuloi se Ekuadori ishte një vend i shenjtë për pastrimin e parave.
Një nga partnerët e tij, një zëvendëskonsull diplomatik shqiptar në Ekuador, kishte investime të mëdha në kompanitë e ushqimit dhe kanabisit, sipas të dhënave publike dhe një analisti ekuadorian të inteligjencës që studioi rrjetin.
Në të njëjtën kohë, ai kishte kontakte edhe me mafiozët italianë, të cilët vepronin në Guaiakuil, me modele të ngjashme kriminale, të orientuar drejt dërgimit të kokainës në Evropë.
Ai gjithashtu e kishte të lehtë të lidhej me biznesmenë dhe disa politikanë vendas.
ARRESTOHET BOSI ITALIAN I DROGËS NË GUAIAKUIL.
Pikërisht në vitin 2013 në atë qytet u arrestua z. Valentino Alampi, një anëtar i klanit të drogës Koska (Cosca) Alampi.
Ai kishte një njoftim të kuq nga Interpoli, me urdhër ekstradimi për bashkim kriminal të tipit mafioz.
Z. Koska (Cosca) Alampi, i lidhur me organizatën kriminale ndërkombëtare Ndrageta (La Ndrangheta) i kushtohet zhvatjes.
Ai njihet si bashkëpunëtor i ngushtë i z. Matteo Alampi, vëllai i tij, udhëheqësi i Koska (Cosca) Alampi. Babai i tyre ishte Xhovani (Giovanni), ish-kreu i klanit.
Anëtarët e Koska (Cosca) Alampi kishin krijuar gjithashtu një rrjet kompanish të themeluara ligjërisht në Ekuador.
Për dekada, Ndrangeta ka kontrolluar dërgesën e kokainës nga Amerika Latine në Evropë, duke përdorur fronte të ligjshme biznesi, duke përfituar nga produktet dhe lëndët e para.
Ata kanë krijuar rrjete importi dhe eksporti që përfshijnë lule, fruta, makineri, verë, kripë dhe ushqim për karkaleca.
Përveç kësaj, ata pastrojnë para përmes investimeve në sektorët e pasurive të paluajtshme dhe të ndërtimit. Guaiakuil është qendra e tij e operacioneve.

Z. Valentino Alampi është aksioner dhe drejtor i dy kompanive në Ekuador: Janoli SA, e cila, është ende aktive dhe Picturecorp SA, e cila, është në proces shpërbërjeje dhe likuidimi.
Role të ngjashme në këto kompani ka edhe z. Matteo Alampi, përveç se është aksioner dhe drejtor në Veliticorp, një tjetër firmë në funksion.
Me qendër në Guaiakuil, ajo është aktive në sektorin e pasurive të paluajtshme, e specializuar në dhënien me qira të pasurive të paluajtshme.
Ajo u themelua më 26 janar 2006 dhe objektivat e saj të biznesit përfshijnë telekomunikacionin dhe transportin e të dhënave dhe informacionit, siç thuhet në nenet e saj të themelimit të zbuluar në Panama Papers.
Janoli është gjithashtu ende aktiv në Guaiakuil, ku aksionerët kryesorë janë vëllezërit Alampi. I dedikohet ndërtimit të ndërtesave të banimit. Ajo u themelua në vitin 2002.
Ajo ka parë rritje mbresëlënëse në të ardhurat neto, me një rritje prej 1.382%, që nga viti 2022. Kompania ka një numër modest punonjësish dhe ka parë një rritje të ndjeshme prej 86.88% në totalin e aktiveve.
Së fundi është Picturecorp, i cili, është i dedikuar për import dhe eksport. Familja Alampi është e listuar si aksionere dhe drejtori në të tre kompanitë.
“Ndërsa partneriteti me italianët rrodhi, z. Dritan Rexhepi dhe miqtë e tij ndërtuan një sistem të sofistikuar të logjistikës së drogës, duke rekrutuar personel të kompanive portuale dhe të anijeve, agjentë doganore dhe oficerë policie që u lejonin atyre akses të sigurt në kontejnerët e drejtuar në Evropë”, thanë hetuesit e drogës.
Një gur themeli i ngritjes së Kompanisë (Compania) Bello ishte formimi i aleancave në të gjithë spektrin e grupeve kriminale ekuadoriane, duke përfshirë kartelet rivale ballkanike, Ndrangueta dhe ato meksikane.
Ai fitoi aleatët e tij duke promovuar Evropën si një treg të ri të hapur ku të gjithë mund të fitonin.
Megjithatë, z. Rexhepi u arrestua në Guaiakuil në vitin 2014, i akuzuar për trafik droge së bashku me bandën e tij prej 10 anëtarësh.
Në atë kohë ai po paraqitej si Lulëzim Murataj, ndaj policia ekuadoriane kërkoi informacion nga Interpoli në Evropë për të verifikuar nëse pasaporta e tij ishte e ligjshme.
Vendi i parë që u përgjigj ishte Italia, ku Rexhepi ishte arratisur në vitin 2011.
Autoritetet konfirmuan se ai ishte një bos i rrezikshëm droge me vlera të larta dhe njëkohësisht kërkuan ekstradimin e tij, ashtu si Belgjika dhe Shqipëria në vitin 2015, sipas dosjes gjyqësore.
Edhe pse sistemi i drejtësisë ekuadoriane pranoi ekstradimin, ai tregoi se ai do të bëhej pasi z. Rexhepi të kishte kryer dënimin e tij 13-vjeçar në këtë vend.
Pas një viti të mbajtur në Guaiakuil, Rexhepi u transferua në Kotopaksi (Cotopaxi).
Deri atëherë, sistemi i burgjeve kontrollohej kryesisht nga bandat në varësi të më të fuqishmit, Los Koneros (Choneros).
Ky ishte konteksti ideal që z. Rexhepi të vazhdonte të nxiste biznesin e tij nga qelia, me të gjitha lehtësitë.
Në Kotopaksi (Cotopaxi), ai u bë mik me Jorge Zambrano JR, Rasquiña, Fito dhe Junior, drejtues të Los Koneros (Choneros), të cilët, tashmë punonin për kartelin Sinaloa.
Ky ishte fillimi i partneriteteve strategjike midis Kompanisë (Compañía) Bello, të udhëhequr nga z. Rexhepi, dhe grupeve lokale.
Qëllimi i tyre ishte i thjeshtë: të shisnin sa më shumë kokainë me fitime të bollshme për të gjithë partnerët në marrëveshje, me një perspektivë të qartë transnacionale, diçka e paparë më parë.
Në muajin shtator të vitit 2020, pas një hetimi pesëvjeçar, qindra oficerë në të gjithë Evropën kryen një operacion të madh të fshehtë kundër veprimeve të z. Rexhepi dhe klanit të tij.
Njëzet veta u arrestuan në Itali, Holandë, Gjermani, Greqi, Rumani, Hungari, Spanjë, Shqipëri dhe Dubai.

Autoritetet italiane më pas i dërguan një sërë letrash autoriteteve gjyqësore dhe qeveritare për të rifilluar procesin e ekstradimit të z. Rexhepi, pasi ishin paralajmëruar se ai kërkonte të lirohej nga burgu para përfundimit të dënimit.
Në një komunikim të vitit 2021 nga Ambasada Italiane, përfshirë në procesin gjyqësor, diplomatët paralajmëruan se z. Rexhepi organizonte dërgesat transatlantike të drogës dhe urdhëroi vrasjen e rivalëve të tij në sajë të një rrjeti të dendur bashkëpunimi dhe korrupsioni, nga burgu, duke përdorur të gjitha llojet e sistemeve të komunikimit.
Kërkesat e Italisë iu zbuluan z. Rexhepi, i cili hartoi planin e tij të arratisjes.
Në muajin gusht të vitit 2021, gjyqtari Diego Poma i dha atij arrest shtëpie, për “arsye mjekësore” me një byzylyk elektronik, sipas urdhrit të gjykatës.
Ditë më vonë, gjyqtari urdhëroi që të hiqej byzylyku elektronik dhe e urdhëroi atë të paraqitej tek autoritetet çdo 15 ditë.
AI U ARRATIS MES PARALAJMËRIMEVE NGA ITALIA.
Italia ka insistuar në kërkesën e saj për ekstradim, duke paralajmëruar autoritetet në një letër nga ambasada e saj në Kuito (Quito) se z. Rexhepi ishte “udhëheqësi i padiskutueshëm” i një rrjeti shqiptar të trafikut të drogës me shtrirje globale.
Asnjë nga kërkesat e tyre nuk u plotësua.
Duke përfituar nga sjellja e sigurt e gjyqtarit Poma (i cili u shkarkua muaj më vonë), z. Rexhepi u lirua nga burgu dhe në ditët në vijim do të kishte udhëtuar për në Medellín të Kolumbisë, sipas raportimeve të Inteligjencës së Bashkimit Evropian.
“Për të fituar kohë dhe për t'u përgatitur për udhëtimin, një nga operatorët e boseve të drogës e imitonte atë në paraqitjet e tij në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në Guaiakuil çdo dy javë”, tha një zyrtar i afërt me hetimin.
Në Kolumbi, z. Rexhepi ishte edhe në Bogota dhe Santa Marta.
Në muajin gusht të vitit 2022 - tregohet në raport - z. Rexhepi themeloi kompaninë Hkg Colombian Sas në Medellín.
Një tjetër anëtar i Kompanisë Bello, Remzi Azemi, i cili u arrestua me z. Rexhepi në Ekuador në vitin 2014, ishte gjithashtu në atë vend.
Z. Azemi u lirua tre muaj më vonë dhe u vu në krye të koordinimit të dërgesave të kokainës nga Guaiakuil me lejen e Kompanisë Belo.
Sipas inteligjencës evropiane, z. Azemi udhëtonte përkohësisht në Kolumbi me një automjet të blinduar me targë GSU-2041, të regjistruar në emër të kolumbianes Katrin Paola Ospino Fernández, partnere e z. Rexhepi.
Znj. Ospino Fernández ishte aksionere dhe presidente e kompanisë Worldclass Ecuador, dedikuar aktiviteteve turistike, deri në muajin korrik të vitit 2021, kur z. Rexhepi kishte ikur tashmë në Kolumbi.
Ndërsa përpiqej të forconte rrjetet dhe strukturat mbështetëse në Turqi, z. Rexhepi u arrestua në Stamboll në muajin nëntor të vitit 2023.
Dy vjet më parë, konfiskimet e kokainës të trafikuar nga Ekuadori në atë vend ishin rritur me 40%, sipas raporteve evropiane kundër drogës.
Një vizionar për zgjerim kriminal në shkallë të gjerë, z. Rexhepi ishte vendosur në Turqi (Türkiye), me pasaportë kolumbiane, me identitetin Benjamín Omar Pérez García.
Ai planifikoi ta kthente vendin në një korridor vendimtar për lëvizjen e drogës në lindje drejt Rusisë dhe Kinës.
Plani i tij ambicioz dështoi kur u arrestua pas kërkesave për ekstradim nga Italia dhe Shqipëria.
Ai u dërgua në Shqipëri në fund janarin e kaluar ku po vuan dënimet për krime të ndryshme.
Raportet kundër drogës nga Ekuadori dhe agjencitë evropiane bien dakord se zëvendësuesi i tij në Ekuador ishte shqiptari Dritan Gjika, një tjetër drejtues i Kompanisë (Compania) Bello.
Z. Rexhepi dhe z. Gjika jetonin në të njëjtën zonë banimi në Samborondón.
Z. Gjika zotëronte disa restorante dhe biznese në Guaiakuil, të cilat. i përdorte në mënyrë aktive edhe për kontrabandën e drogës.
Në vitet e fundit, z. Gjika ka ndërtuar një strukturë të fuqishme biznesi, të ankoruar në lidhjet e tij të rëndësishme ekonomike dhe politike, të paktën që nga viti 2020, për të transportuar drogë nga portet e Guaiakuilit dhe një rrjet mbështetës për pastrimin e parave përmes një rrjeti prej dhjetë kompanish (6 në Ekuador dhe 4 në Spanjë), duke përfshirë prodhuesit e kanabisit dhe kompanitë e bananeve.
Emri i tij u bë i njohur në vitin 2023 për shkak të kontakteve të tij, nëpërmjet Rubén Kerrez (Chérrez), i cili, mbeti i vrarë në muajin nëntor me z. Danilo Karrera (Carrera), kunatin e presidentit të atëhershëm të Ekuadorit Guillermo Lasso.
Z. Karrera (Carrera) u dënua për krim të organizuar pasi ishte pjesë e një rrjeti kontratash të paligjshme në sektorin e energjisë elektrike.
Pas ekspozimit, z. Gjika u largua nga Ekuadori.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments