
Teheran, Iran | Këshilli Suprem Kibernetik i Iranit, organi rregullator i internetit dhe kibernetikës i Republikës Islamike, votoi sot për heqjen e një ndalimi dy-vjeçar mbi aplikacionin e mesazheve WhatsApp.
“Ndalimi i WhatsApp dhe Google Play u votua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Hapësirës Kibernetike”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve iraniane IRNA.
“Është faza e parë e planit që synon heqjen e kufizimeve”, tha IRNA.
Ministri i Komunikimeve Sattar Hashemi përshëndeti një hap të parë drejt heqjes së kufizimeve në internet me pëlqim në një postim në platformën sociale virtuale Iks (X).
Irani bllokoi Instagramin dhe WhatsApp-in pasi filluan protestat në vitin 2022 për vdekjen në paraburgim të znjsh. Mahsha Amini (gruaja e re që ishte arrestuar për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike).
Këto aplikacione u përdorën më shumë pasi Youtube, Facebook, Telegram, Twitter dhe Tiktok u ndaluan.
Ndalimet kanë ndezur polemika në Iran, me kritikët që argumentojnë se ato janë të kushtueshme për vendin.
“Kufizimet nuk kanë sjellë asgjë përveç zemërimit dhe kostove shtesë për qytetarët”, tha sot këshilltari presidencial Ali Rabiei në një postim në platformën sociale virtuale Iks (X).
“Presidenti Massoud Pezeskian beson në heqjen e kufizimeve dhe nuk i konsideron ndalimet si interes të popullit dhe vend”, tha z. Mohammad Javad Zarif, zv/president i Iranit për çështjet strategjike.
Gazeta reformiste Shargh raportoi sot se 136 deputetë nga parlamenti 290 anëtarësh i kishin shkruar Këshillit për të denoncuar masën si një dhuratë për armiqtë e Iranit.
Sipas gazetës, deputetët kërkuan që qasja në platformat e kufizuara në internet të lejohet vetëm nëse respektojnë vlerat e shoqërisë islame dhe ligjet e Iranit.
Presidenti Massoud Pezeskian, i cili mori detyrën në muajin korrik, u zotua gjatë fushatës së tij për të hequr kufizimet në përdorimin e internetit që kanë qenë në fuqi prej vitesh.
Në muajin mars, një ministër iranian njoftoi se qeveria do të lejojë platformat ndërkombëtare të punojnë në vend nëse ata pranojnë të hapin zyra që i përfaqësojnë ato atje.
Kompania “Meta”, gjiganti amerikan që zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, u përgjigj se nuk ka ndërmend të vendoset në Iran, një vend që i nënshtrohet një regjimi të sanksioneve të ashpra nga Shtetet e Bashkuara.
Përballë kufizimeve të internetit, shumë iranianë kanë filluar të përdorin rrjete private virtuale (VPN) për të anashkaluar kufizimet.
Platforma të tjera të njohura si Facebook, X dhe YouTube kanë mbetur të bllokuara që nga viti 2009, dhe aplikacioni i mesazheve të çastit Telegram u ndalua me vendim gjykate në muajin prill të vitit 2018.
Në një përpjekje për të zëvendësuar platformat e huaja, Irani ka zhvilluar aplikacionet e veta gjatë viteve.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
コメント