Gazë | Udhëheqësi i ri politik i Hamasit, Jahja Sinuar (Yahya Sinwar) ishte përgjegjës për identifikimin dhe ndëshkimin e palestinezëve që bashkëpunuan me Izraelin.
Ai i mbyste me duart e veta, siç tregon edhe marrja në pyetje e tij e mëparshme.
Një memorandum i sapo zbuluar nga një marrje në pyetje e z. Jahja Sinuar (Yahya Sinwar) në vitin 1989 hedh dritë mbi historinë e dhunës së udhëheqësit të ri politik të Hamasit, i cili mori detyrën pas vrasjes së z. Ismail Hanija (Haniya), në Teheran.
Atë vit, Shërbimi i Sigurisë së Izraelit (Shin Bet) e arrestoi atë në Kan Jinis (Khan Yunis), në Rripin jugor të Gazës, për vrasjen e bashkëpunëtorëve izraelitë.
Z. Sinuar, i cili ishte i ngarkuar me mbledhjen e informacionit për bashkëpunëtorët, i befasoi hetuesit izraelitë kur u bëri një xhiro në Gaza duke zbuluar vendet ku kishte varrosur trupat e bashkëpunëtorëve që kishte vrarë, kryesisht duke i mbytur me duart e tij.
“Unë jam gati t'ju tregoj gjithçka, që nga fillimi, gjërat që kam bërë dhe për të cilat nuk kam folur kurrë”, tha ai, sipas një transkripti prej 10 faqesh të marrjes në pyetje që ruhet në arkivin e Gjykatës së Lartë në Jerusalem.
Rreth tre vjet më parë, në vitin 1986, ai kishte bashkuar forcat me kreun e atëhershëm të Hamasit, Sheikh Ahmed Jasin (Yassin).
Z. Jasin (Yassin) sapo ishte liruar nga burgjet izraelite, një nga 1151 të burgosurit e liruar si pjesë e “Marrëveshjes së Xhibrilit”, në këmbim të lirimit të tre ushtarëve izraelitë që ishin marrë peng gjatë Luftës së Parë të Libanit në vitin 1982.
Në koordinim me z. Jasin (Yassin), z. Sinuar krijoi një nëngrup të ngarkuar me identifikimin e bashkëpunëtorëve izraelitë.
“Kur z. Sheikh Jasin (Yassin) u lirua nga burgu si pjesë e marrëveshjes së shkëmbimit, unë shkova për ta vizituar atë”, tha z. Sinuar.
“Ne u ulëm dhe biseduam për situatën në Rripin e Gazës, situatën në Islam dhe partnerët me Izraelin. Ne vendosëm të punësonim njerëz që do të mblidhnin informacione për bashkëpunëtorët dhe për të gjithë ata që ishin kundër Islamit. E dija që ishte e rrezikshme, kështu që rekrutova z. Rauhi Xhabal (Rawhi Jabal), të cilit mund t'i besoja”, tha ai.
E njoftova Shejh Jasinin dhe filluam punën. Secili ishte përgjegjës për një zonë të ndryshme, unë kisha zonën jugore të Rripit të Gazës. Ne i kalonim informacione njëri-tjetrit në kutitë postare në xhami.
Ai u tha hetuesve se më vonë ai rekrutoi më shumë njerëz, kryesisht nga kolegjet e Gazës, dhe se vrasjet ishin miratuar nga z. Jasin (Yassin).
Gjatë marrjes në pyetje disa orëshe, ai dha detaje të tmerrshme për vrasjet e bashkëpunëtorëve, të cilat i kreu vetë – ose duke qëlluar ose duke mbytur të dyshuarit.
Në një rast, ai gjurmoi një banor të Gazës, të quajtur Rashmi Salim, pasi mori informacione se ai ishte dezertor dhe punonte me Izraelin.
“Po ngisnim një Peugeot të bardhë, ndaluam pranë tij, e kapëm dhe e futëm në makinë. Ne e morëm në pyetje dhe ai pranoi se ishte në kontakt me inteligjencën izraelite, me një burrë të quajtur Abu Rami. Ai gjithashtu pranoi se sillte vajza në dyqanin e tij.
Ne e çuam atë në varrezat në Kan junis (Khan Yunis), pa i thënë se çfarë do të bënim. I lidha sytë me një leckë që të mos shihte, e futa në një varr të hapur dhe e mbyta me një leckë.
Pasi e mbyta, e mbështolla me një leckë të bardhë dhe e futa në varr. Ai e meritonte të vdiste”, u tha z. Sinuar hetuesve izraelitë, duke shtuar se Hamasi i kishte siguruar atij një armë, por ai preferoi të vriste të dyshuarin me duart e tij.
“Kështu, për shembull, ai përshkroi se si, pas informacioneve të ngjashme, grupi vrau një tjetër palestinez, të cilin ai vetë e kërcënoi me armë dhe e rrëmbeu.
Pas një marrjeje brutale në pyetje ai pranoi se kishte bashkëpunuar me Izraelin, gjë që vulosi menjëherë fatin e tij. E mbyta me gabion, hapëm një gropë dhe e varrosëm”, tha z. Sinuar.
Ai dha detaje për dy vrasje të tjera me një metodë të ngjashme të tmerrshme.
Objektivi tjetër i z. Sinuar dhe njerëzve të tij ishte z. Husayn Al Shir nga Kan Junisi (Khan Younis), një njeri i pasur që i pëlqente të tregonte makinën e tij.
“Kur e gjetëm brenda automjetit të tij, nxora një armë dhe e kërcënova. Ia vura armën në qafë për ta futur me forcë në makinë, por arma shtiu dhe e vrau. E futëm në makinë, u larguam dhe e varrosëm trupin.
Pas kësaj lamë makinën për të hequr gjakun dhe shkuam në shtëpi. Pas një kohe, mendoj të nesërmen, ne pamë ushtrinë izraelite atje dhe e dinim se e kishin gjetur trupin e tij”, tha ai.
Për këto dhe vrasje të tjera, ai u dënua me pesë dënime të përjetshme, të cilat iu desh t'i vuante deri në vdekje, por në muajin tetor të vitit 2011 u lirua, pasi kishte kryer 22 vjet - në kuadër të shkëmbimit të të burgosurit Gilat Shalit.
Pas lirimit të tij ai fitoi forcë dhe popullaritet brenda Hamasit, duke u bërë udhëheqës i saj në Gaza në muajin shkurt të vitit 2017, pasi mundi z. Ismail Hanijah (Haniya) të vrarë në zgjedhjet e brendshme.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments