JA SI E HAMË PLASTIKËN NË USHQIMIN TONË: ÇDO JAVË HAMË PLASTIKË SA NJË KARTË KREDITI | GABIMET QË NUK DUHEN BËRË NË KUZHINË.
- Agjencia Telegrafike Vox
- Jun 29
- 5 min read

Zyrih, Konfedrata e Zvicrës | Mikroplastikat janë kudo. Në ajrin që thithim, në ushqimin që hamë dhe në ujin që pimë.
Sipas raportit të fundit nga Komisioni i BE-së “Future Brief”, një i rritur gëlltit ose thith nga 39000 deri në 52000 grimca mikroplastike në vit.
Një sasi e barabartë me 5 gramë plastikë në javë, ekuivalenti i një karte krediti.
Këto grimca të vogla plastike hyjnë në trupin tonë dhe grumbullohen në organe duke shkaktuar ndryshime metabolike, pasoja në sistemin imunitar dhe nervor, tumore dhe probleme të tjera shëndetësore që janë ende nën shqyrtim shkencor.
Midis shumë burimeve të mikroplastikës që mund të përfundojnë në trupin tonë, ka shumë produkte dhe vegla që gjenden zakonisht në kuzhinat tona.
Nga shishet plastike te enët e ushqimit, nga qeset e çajit te dërrasat e prerjes, shishet e foshnjave dhe produkte të tjera për fëmijë.
Një grup shkencëtarësh nga Forumi i Paketimit të Ushqimit, një organizatë jofitimprurëse në Zyrih, zbuluan se cilat produkte janë potencialisht më të rrezikshme për shëndetin tonë.
Edhe pse efektet afatgjata të këtyre grimcave në shëndetin e njeriut janë ende të paqarta, ato janë shoqëruar me kancer dhe goditje në tru, demencë dhe komplikime gjatë shtatzënisë.
Për të mbrojtur më mirë shëndetin e njeriut, rregulloret duhet t'i bëjnë testet e migrimit për mikroplastikat dhe nanoplastikat të detyrueshme për këto produkte.
Detajet e studimit u botuan në revistën shkencore “Science of Food”.
Studiuesit vlerësuan 103 studime që shqyrtuan mikroplastikat e lëshuara nga disa artikuj plastikë në kontakt me ushqimin (FCA) që gjenden zakonisht në familje dhe në industri.
Këto përfshijnë:
1- Shishe për foshnje.
2- Gota të disponueshme.
3- Tabaka.
4- Mbështjellës si qese plastike.
5- Dërrasa prerëse.
6- Qese çaji.
“Ne zbuluam - shpjegojnë studiuesit - se mikroplastikat kanë tendencë të lëshohen gjatë përdorimit të produktit siç është menduar nga prodhuesi.
Për shembull, hapja e një shisheje me kapak plastik shkakton gërvishtje duke lëshuar mikroplastika që depozitohen në lëkurë, ashtu si prerja e një ushqimi në dërrasa prerëse plastike.
Por edhe zhytja e disa llojeve të qeseve të çajit në një filxhan me ujë të nxehtë lëshon miliarda grimca plastike në infuzion”.
Jo vetëm kaq, studiuesit zbuluan se edhe shishet e foshnjeve dhe produktet e tjera për foshnje lëshojnë mikroplastika.
Një rezultat alarmues që sugjeron se ne jemi të ekspozuar ndaj këtyre grimcave që nga lindja.
Sipas studimit, shishet plastike janë produkti që lëshon më shumë mikroplastikë, të ndjekura nga enët plastike dhe qeset e çajit.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është kështu, përkundrazi se ka më shumë studime që sugjerojnë se shishet plastike janë një burim mikroplastikësh sesa FCA-të e tjera.
Në këtë drejtim, një studim i kohëve të fundit i publikuar nga Agjencia Franceze e Sigurisë Ushqimore (ANSES) zbuloi se shishet e qelqit përmbajnë pesë deri në pesëdhjetë herë më shumë mikroplastikë sesa shkalla e gjetur në shishet plastike ose kanaçet metalike.
Dhe shkaku i këtij fenomeni janë kapakët.
Sipas studiuesve, mikroplastikat e gjetura vijnë nga veshja e jashtme e kapakëve, të cilat, gërvishten veçanërisht gjatë proceseve të prodhimit dhe ruajtjes.
Nga këto shenja, lëshohen fragmente të vogla plastike, të cilat, kanë dimensione midis 0.1 mikrometrave dhe 5 milimetrave, të cilat ne përfundojmë duke i gëlltitur.
Pasojat shëndetësore: Këto fragmente të vogla plastike të lëshuara në ushqim jo vetëm që hyjnë në trup, por depozitohen edhe në organe.
Grimca plastike janë gjetur në gjak, veshka, palcë kockash, spermë, madje edhe në qumështin e gjirit dhe placentën, si dhe në jashtëqitjet e të rriturve dhe të porsalindurve.
Truri i njeriut nuk bën përjashtim, ku është gjetur një sasi ekuivalente me një lugë çaji plastikë.
“Pasojat shëndetësore të ekspozimit ndaj këtyre grimcave ende nuk janë kuptuar plotësisht.
Por provat shkencore të disponueshme tregojnë se mikroplastikat dhe nanoplastikat mund të ndryshojnë përbërjen e mikrobiomës së zorrëve të njeriut, bashkësinë e triliona mikroorganizmave në zorrë që ndihmon në kontrollin e tretjes dhe përfiton sistemin imunitar, duke hapur rrugën për disa sëmundje.
Hulumtime të tjera sugjerojnë se ekspozimi shkakton stres oksidativ dhe inflamacion, neurotoksicitet, efekte imunologjike dhe riprodhuese, dhe ndryshime në sinjalizimin endokrin, një sistem jetësor komunikimi në trup i kontrolluar nga hormone”, u tha prej kërkuesve shkencorë.
Megjithatë, industria ushqimore ende nuk ka ndërmarrë hapin e rëndësishëm të heqjes dorë nga plastika në paketimin dhe transportin e ushqimit për të zvogëluar ekspozimin e njeriut ndaj mikroplastikës.
Për të zbutur ekspozimin ndaj MNP-ve (mikroplastikave dhe nanoplastikave) dhe për të mbrojtur më mirë shëndetin e njeriut, rregulloret mund të detyrojnë testimin e migrimit të MNP-ve për FCA-të.
Sipas një artikulli të botuar në Revistën Ndërkombëtare të Kërkimeve Mjedisore dhe Shëndetit Publik, kuptimi ynë i efekteve të mundshme shëndetësore të ekspozimit ndaj mikroplastikës ka boshllëqe serioze në njohuri.
Njerëzit mund të ekspozohen ndaj grimcave plastike përmes konsumit të peshkut dhe produkteve ushqimore tokësore, ujit të pijshëm dhe përmes ajrit.
Megjithatë, niveli i ekspozimit njerëzor, përqendrimet e efekteve toksike kronike dhe mekanizmat themelorë me të cilët mikroplastikat shkaktojnë efekte nuk janë kuptuar ende mjaftueshëm për të bërë një vlerësim të plotë të rrezikut për njerëzit.
Sipas znj. Reçll Edms (Rachel Adams), Profesoreshe e Shkencave Biomjekësore në Universitetin Metropolitan të Kardifit (Cardiff), gëlltitja e mikroplastikës mund të shkaktojë një sërë efektesh potencialisht të dëmshme, duke përfshirë inflamacionin sistemik.
“Mikroplastikat, pasi të absorbohen në gjak, mund të arrijnë në organe të ndryshme, duke përfshirë mëlçinë, veshkat dhe trurin - shpjegon ajo - dhe të shkaktojnë procese inflamatore.
Një përgjigje e këtij lloji (inflamacion sistemik) shoqërohet me një rrezik në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare, çrregullimeve neurologjike dhe problemeve metabolike.
Mikroplastikat, gjithashtu mund të bëhen vektorë të toksinave të tjera që hyjnë në trup.
Këto grimca në përgjithësi largojnë ujin dhe lidhen me toksinat që nuk treten, kështu që ato mund të lidhen me komponime që përmbajnë metale toksike si zhiva dhe ndotës organikë si disa pesticide dhe kimikate të quajtura dioksinë, të njohura për shkaktimin e kancerit, si dhe probleme riprodhuese dhe zhvillimore”.
Si ta kufizoni ekspozimin ndaj tyre?
Nutricionistët rekomandojnë:
1- Zëvendësimin e të gjitha enëve plastike me ekuivalente qelqi (tiganë, tava, shpatulla, enë për ruajtje).
2- Kthimin te pirja nga gota qelqi.
3- Përdorimin e kashtëve biodegraduese të bëra nga materiale organike.
4- Kthimin te përgatitja e çajit nga infuzioni dhe jo nga qeset e çajit.
Ekspertët nutricionistë gjithashtu rekomandojnë t'i kushtoni vëmendje të madhe metodave të gatimit dhe larjes së enëve, nëse doni të vazhdoni të përdorni ato plastike, përveç monitorimit, me miratimin e mjekut tuaj, të gjendjes së enëve të mëdha të gjakut, veçanërisht nëse ka stenozë ose pllaka kolesteroli.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments