ISH-DREJTORI I SHËRBIMIT KANADEZ TË INTELIGJENCËS SË SIGURISË DEIVID VINJOLLT (DAVID VIGNEAULT): VENDET ARMIQËSORE PO INFILTROJNË AGJENTË NË UNIVERSITETET DHE NË KOMPANITË PERËNDIMORE.
- Agjencia Telegrafike Vox

- Dec 7, 2025
- 2 min read

Otavë, Kanada | “Disa vende armiqësore po i përqendrojnë aktivitetet e tyre të spiunazhit jo vetëm te qeveritë perëndimore, por edhe te universitetet, qendrat kërkimore dhe kompanitë innovative”.
Kështu tha z. Deivid Vinjollt (David Vigneault), ish-drejtor i Shërbimit Kanadez të Inteligjencës së Sigurisë (CSIS), në një intervistë me entin mediatik britanik “The Guardian” (Rojtari) në margjinat e një konference inteligjence në Holandë.
Ai i përshkroi përpjekjet në shkallë industriale të Kinës për të përvetësuar teknologji të ndjeshme përmes sulmeve kibernetike, agjentëve të fshehtë dhe rekrutimit të stafit universitar.
“Vija e frontit është zhvendosur në sektorin privat dhe inovacionin kërkimor”, tha ai, duke paralajmëruar se Pekini synon të transferojë sistematikisht aplikimet ushtarake të teknologjive të reja te Ushtria Çlirimtare Popullore.
Ish-drejtori i CSIS-it shtoi se tronditja e shpejtësisë së ndërhyrjes së ShBA-ës në Irak në vitin 2003 e shtyu udhëheqjen kineze të nisë një program të gjerë të ndërtimit ushtarak dhe përvetësimit të ekspertizës perëndimore.
Ai drejtoi CSIS-in gjatë periudhës fillestare të pushtimit rus të Ukrainës, kur Kanadaja kishte qasje në inteligjencën nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.
Ai argumentoi se dështimi i disa vendeve evropiane për të paralajmëruar ishte pjesërisht për shkak të varësisë së tyre energjetike nga Rusia, e cila, ndikoi në vendimmarrje.
Ish-drejtori i inteligjencës gjithashtu mbështeti vlerësimet e sigurisë kombëtare për programet universitare të financuara nga shteti, ndërsa pranoi rrezikun e perceptimeve diskriminuese.
“Problemi nuk është populli kinez, por Partia Komuniste Kineze”, tha ai.
Pasi u transferua në sektorin privat në kompaninë amerikane Strider, z. Vinjollt (Vigneault) bëri thirrje për forcimin e sovranitetit në menaxhimin e të dhënave dhe infrastrukturës dixhitale, duke treguar Cloud Sovran-in si një mjet për mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm në një kontekst gjeopolitik të shënuar nga rivaliteti midis fuqive të mëdha.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit

___.png)





















Comments