Jeruzalem, Izrael | Tensioni mbetet i lartë në Lindjen e Mesme ndërkohë që diplomacia ndërkombëtare punon për të qetësuar tonin dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Frika nga një përgjigje iraniane ndaj Izraelit është ende e lartë, por zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë besojnë se përpjekjet e presidentit amerikan Xhëu Baidn (Joe Biden) për të frenuar Iranin pas vrasjes së udhëheqësit politik të Hamasit Ismail Hanijeh (Haniyeh) në Teheran po japin fryte dhe republika islamike mund të rishqyrtojë planet e saj të rënda të reagimit.
Kështu shkruan enti mediatik Shtypi i Uashingtonit (Washington Post).
“Ne po shkojmë drejt fitores. Unë e di që qytetarët e Izraelit janë në gatishmëri dhe ju kërkoj një gjë: qëndroni të qetë dhe të përmbajtur. Ne jemi të përgatitur si për mbrojtje ashtu edhe për sulm, ne po godasim armiqtë tanë dhe gjithashtu jemi të vendosur të mbrojmë veten”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i cili, sot vizitoi bazën e rekrutimit të ushtrisë Tel Hashomer.
Duke folur para trupave, ai shprehu krenarinë e tij që ushtarët i quanin shtylla kurrizore e kombit.
Ndërkohë, deklaratat e vendeve të përfshira pasojnë njëra-tjetrën.
“Banda kriminale sioniste nuk respekton asnjë rregull apo ligj dhe me siguri do të marrë një përgjigje të ashpër nga Irani për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Hanijeh (Haniyeh)”, deklaroi komandanti i ushtrisë iraniane, Abdolrahim Musavi, duke shtuar se përgjigja do të jetë e fuqishme dhe emërimi i z. Jahja Sinuar (Jahja Sinwar) në krye të byrosë politike të Hamasit dëshmon se Izraeli nuk duhet të ketë shpresë për të ardhmen e tij.
“Zionistët e kanë kuptuar se kolapsi i tyre është përshpejtuar, kështu që ata përpiqen ta ngadalësojnë atë duke marrë masa të verbëra, por dëshira e tyre nuk do të realizohet dhe ata do të asgjësohen”, tha z. Musavi (Mousavi), siç raporton IRNA.
“Fatkeqësisht, disa vende evropiane kanë heshtur në lidhje me veprimet terroriste të regjimit sionist dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar dhe kjo ka bërë që arrogancën e bandës që sundon Tel Avivin të rrisë dhe përhapë tensionin dhe pasigurinë në rajon”, deklaroi ministri i jashtëm i përkohshëm iranian, Ali Bagheri, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij austriak, Alexander Schallenberg.
“Pala evropiane praktikisht ka bllokuar të gjitha kanalet diplomatike duke mos dënuar agresionin e dukshëm terrorist të regjimit sionist dhe duke penguar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të marrë një vendim efektiv dhe parandalues kundër regjimit sionist”, shtoi kreu i Diplomacisë së Teheranit.
Sipas raporteve nga qeveria iraniane, ministri Schallenberg tha se duke u kërkuar të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, Austria nënvizon nevojën për të përdorur të gjitha aftësitë diplomatike për të minimizuar tensionet.
Lideri i Hezbollahut tha se Irani është i detyruar të luftojë kundër Izraelit.
“Irani nuk do të bëjë asnjë kompromis për të mbrojtur sigurinë e tij kombëtare, integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar”, tha ministri Bagheri gjatë një bisede telefonike me homologun e tij britanik, Deivid Lemi (David Lammy).
“Veprimet agresive dhe terroriste të regjimit sionist në rajon shkaktojnë vetëm destabilitet në rajon”, shtoi ministri Bagheri.
“Pas vrasjes së z. Ismail Hanijeh (Haniyeh), palët evropiane kanë humbur mundësinë e parë për diplomaci duke mos vepruar dhe madje duke mos dënuar këtë akt që cenon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, nënvizoi ministri Bagheri.
“Kjo sjellje e evropianëve nuk do të ketë rezultat tjetër veçse të inkurajojë regjimin sionist të vazhdojë aktivitetet terroriste dhe të promovojë destabilitet dhe pasiguri në rajon”, tha ai më tej.
Sipas agjencisë së lajmeve Mehr, sekretari Lemi (Lammy) tha se Izraeli dhe Libani janë në prag të luftës dhe nëse nuk ushtrojmë vetëpërmbajtje do të shohim rezultate katastrofike që nuk janë në interesin e askujt.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments