Lion, Paris | INTERPOL zbuloi të hënën se autoritetet kombëtare nga 39 vende koordinuan një operacion në shkallë të gjerë që synonte rrjetet kriminale pas trafikimit të qenieve njerëzore, i cili rezultoi në 219 arrestime dhe identifikimin e 1374 viktimave të mundshme, përfshirë 153 fëmijë.
Operacioni, i koduar me emrin Zinxhiri Global (Global Chain), u drejtua nga Austria dhe përfshinte koordinim me Rumaninë, Frontex-in, Europol-in dhe Interpol-in.
Ky operacion përfshinte veprime të zbatimit të ligjit në Afrikë, Azi, Europë dhe Amerikën Latine.
Si rezultat, janë identifikuar gjithsej 362 të dyshuar, me mbi 2000 mjete kriminale të sekuestruara, 363 dokumente mashtruese janë zbuluar dhe 276 hetime të reja kanë filluar.
Trafikimi i qenieve njerëzore është një proces nëpërmjet të cilit individët vendosen ose mbahen në një situatë shfrytëzuese për përfitime ekonomike.
Trafikimi i qenieve njerëzore ekziston në të gjitha rajonet e botës dhe shpesh përfshin njerëz që janë të cenueshëm për shkak të varfërisë, dhunës dhe diskriminimit.
Ndërsa disa instrumente ligjore ndërkombëtare përdoren për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, më i rëndësishmi është Protokolli për Parandalimin, Ndalimin dhe Ndëshkimin e Trafikimit të Personave, Veçanërisht Grave dhe Fëmijëve.
Në veçanti, neni 5 i detyron shtetet të miratojnë çfarëdo mase të nevojshme për të kriminalizuar trafikimin e qenieve njerëzore, duke përfshirë kriminalizimin e aktiviteteve të trafikimit të kryera jashtë territorit kombëtar të një vendi.
Ky protokoll është nënshkruar nga 117 vende dhe plotëson Konventën e OKB-së “Palermo” kundër Krimit të Organizuar Transnacional (UNTOC), e cila është një instrument ligjor ndërkombëtar që u krijua në 2000 për të promovuar bashkëpunimin për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar transnacional në mënyrë më efektive.
Ky operacion i veçantë ndërkombëtar u krijua gjithashtu për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve kombëtare, publikut dhe aktorëve të jashtëm ndaj krimit të trafikimit të qenieve njerëzore.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments