Vatikan | Të tronditur nga vala e sulmeve gjatë periudhës së Krishtlindjes, mbi 400 udhëheqës të krishterë dhe 30 grupe kishtare në Indi i kanë bërë një apel urgjent presidentit Droupadi Murmu dhe kryeministrit Narendra Modi, duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm për të adresuar çështjen e dhunës kundër të krishterëve.
Kështu shkruan agjencia e lajmeve AsiaNews.
Nisma erdhi pas të paktën 14 incidenteve të dhunës, kërcënimeve dhe çrregullimeve që synuan tubimet e krishtera në të gjithë vendin gjatë periudhës së Krishtlindjes, shkruajtën promotorët në një deklaratë për shtyp.
Ndër firmëtarët kryesorë të apelit janë peshkopët ungjillorë Thomas Abraham dhe David Onesimu, peshkopi metodist Joab Lohara, jezuitët Fr. Cedric Prakash dhe Fr. Lousi Prakash.
Ndër incidentet më të rënda në shtetin Harjana (Haryana), në rrethin e Rohtak-ut, organizatat hindutva shqetësonin tubimet e krishtera në ditën e Krishtlindjes; në Ambala kanë ndërprerë një festë dhe kanë arritur deri aty sa kanë rrahur gra dhe fëmijë, nën akuzën e konvertimit të detyruar.
Tre anëtarë të Vishua (Vishwa) Hindu Parishad-it ndërprenë festimet e Krishtlindjeve në një shkollë publike në Palakkad, Kerala dhe kërcënuan verbalisht mësuesit.
Më 26 dhjetor 2024, në lagjen Balasore të Orissës, anëtarët e Kishës së Jetës së Re u sulmuan ndërsa festonin Krishtlindjet me familjen e pastorit Pentekostal; një turmë ekstremistësh lokalë sulmoi tubimin dhe i dhunoi verbalisht dhe fizikisht, ndërsa turma bërtiste akuza për konvertim të detyruar.
Në tekstin e apelit drejtuar autoriteteve më të larta indiane, udhëheqësit e krishterë shprehin shqetësim të thellë për tendencën alarmante të rritjes së intolerancës dhe akteve armiqësore.
Të dhënat ende jo përfundimtare për vitin 2024 flasin për mbi 720 episode dhune ndaj të krishterëve të raportuara në Bashkësinë Ungjillore të Indisë dhe 760 raste të regjistruara nga Forumi i Bashkuar i Krishterë.
Udhëheqësit e krishterë i kërkojnë gjithashtu kryeministrit të marrë një rol të dukshëm në promovimin e paqes dhe pajtimit në Manipur, ku dhuna ka lënë mbi 250 të vdekur, 360 kisha të shkatërruara dhe mijëra të zhvendosur që nga maji 2023.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentários