
Tokio, Japoni | Gruaja më e vjetër në botë, japonezeja Tomiko Itooka, ka vdekur në moshën 116-vjeçare, në qytetin Ashiya (Japonia jugore) ku jetonte.
“Zonja Itooka, e cila, kishte katër fëmijë dhe pesë nipër e mbesa, vdiq më 29 dhjetor 2024 në rezidencën e të moshuarve ku ajo banonte që nga viti 2019”, tha kryebashkiaku i Ashija (Ashiya) në një njoftim për shtyp.
E lindur më 23 maj 1908 në Osaka, jo shumë larg Ashijës (Ashiya), ajo u konsiderua si më e vjetra e njerëzimit pas vdekjes, në muajin gusht të vitit 2024, të spanjolles Maria Branyas Morera në moshën 117-vjeçare.
“Znj. Itooka na dha kurajo dhe shpresë gjatë gjithë jetës së saj të gjatë”, komentoi kryebashkiaku i Ashijës (Ashiya) Ryosuke Takashima.
E ardhur nga një familje me tre fëmijë, volejbolliste në rini, ajo ka jetuar luftëra, pandemi dhe revolucione teknologjike.
Si një grua e moshuar, ajo pëlqente bananet dhe kalpisin (calpis), një pije me bazë fermenti laktik shumë e njohur në Japoni, lexojmë në njoftimin për shtyp të bashkisë.
Japonia aktualisht po përjeton një krizë demografike, me një popullsi të moshuar në rritje dhe një popullsi pune në rënie që financon rritjen e kostove mjekësore dhe sociale.
Që nga muaji shtator, Japonia ka më shumë se 95000 njëqindvjeçarë, 88% e tyre gra. Gati një e treta e 124 milionë banorëve të vendit janë 65 vjeç e lart.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments