Romë, Itali | Një veri gjithnjë e më i nxehtë, me një klimë që po bëhet tropikale dhe tokë që është mesatarisht më e varfër me ujë në të gjitha rajonet italiane, veçanërisht në jug, ku thatësira vë në rrezik të korrat që janë thelbësore për dietën mesdhetare.
Kjo është ajo që del nga të dhënat e publikuara sot nga Grinpis (Greenpeace) Italia në bashkëpunim me studiues ekspertë të sektorit, në Ditën Botërore kundër Shkretëtirëzimit.
Dimrat janë gjithnjë e më të ngrohtë në çdo cep të Gadishullit, por është Veriu ai që po ngrohet më shumë dhe po regjistron anomalitë më të mëdha për sa i përket reshjeve.
Në 40 vitet e fundit, në nivel kombëtar, rritja e temperaturës mesatare të dimrit (janar-mars) ishte pothuajse 1.5°C, me kulme gati 2°C në veriperëndim dhe mbi 1.5°C në verilindje.
Rritjet më të mëdha u regjistruan në Valle d'Aosta, Piemonte dhe Lombardi.
Në vetëm dy muajt e dimrit 2024, në Italinë Veriore ra përafërsisht e njëjta sasi uji siç ra shi në të tre dimrat e mëparshëm.
Në pjesën tjetër të vendit, megjithatë, në dimrat e 2021-2024 pati një reduktim të përgjithshëm të reshjeve grumbulluese (kumulative) krahasuar me mesataren e periudhës tridhjetëvjeçare 1981-2010: një variacion që është më i madh në jug (-2,3% ) dhe në ishuj (- 5.7%), ku prek zonat tashmë të karakterizuara nga më pak reshje se diku tjetër.
Në të gjithë gadishullin, 2022 ishte viti më i thatë, me Veriperëndimin që pa reshje të reduktuara me 64%.
Si rezultat, tokat e të gjitha rajoneve italiane (me përjashtim të Valle d'Aosta) janë më të varfëra në ujë se mesatarja e 30 viteve të fundit.
Në veçanti Sicilia, ku vlera mesatare e ujit të pranishëm në tokat sipërfaqësore ka rënë me mbi 2% në 4 dimrat e fundit krahasuar me ato të tridhjetë viteve të mëparshme, ose Pulia dhe Kalabria, të cilat të dyja shënuan një rënie prej më shumë se 1%.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comentarios