Shkodër, Shqipëri | Gjykata e Apelit të Përgjithshëm ka ulur dënimin për z. Lekë Vuksani, i cili, më 2 maj të vitit 2023 vrau me armë zjarri në Shkodër kushëririn e tij, z. Petrit Vuksani.
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër vendosi dënimin e tij me 21 vite burg, teksa me gjykim të shkurtuar dënimi iu ul në 14 vite burg, për akuzat “vrasje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armës”.
Ndërkohë, pas dërgimit të çështjes në Apel nga i pandehuri, ditën e djeshme u mor vendimi që z. Lek Vuksanin t’i ulet dënimi i përgjithshëm në 19 vite burg për dy veprat penale dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi ulet në 12 vite burg.
Njoftim | Në përfundim të gjykimit, më datë 24.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Marsela Pepi dhe anëtar z. Fatri Islamaj dhe znj. Edlira Petri, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 744 (1667), datë 03.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për sa i përket kualifikimit ligjor dhe masës së dënimit të caktuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje” të parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.
Ndryshimin e vendimit nr. 744 (1667), datë 03.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për pjesën tjetër si më poshtë:
Deklarimin fajtor të të pandehurit L. V për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal bashkimin e dënimeve dhe dënimin e të pandehurit L. V me 19 (nëntëmbëdhjetë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale zbritet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vjet dhe 8 (tetë) muaj burgim, thuhet në vendimin e Apelit të Përgjithshëm.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments