Tiranë, Shqipëri | Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shqiptoi masën e sigurimit vetjak për ish-ish-ministrin e Shëndetësisë dhe drejtuesin e Agjencisë SASPAC, Ilir Beqaj.
GJKKO shqiptoi masat e sigurimit vetjak “arrest në burg” për:
1- Z. Ilir Beqaj.
2- Z. Ermal Kurtulaj.
Ndërsa shqiptoi masën e sigurimit vetjak “arrest shtëpie” për:
1- Z. Alfred Nikollin.
Z. Beqaj u arrestua me urdhër të Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lidhur me abuzimin me fondet e Bashkimit Europian, gjatë kohës kur drejtonte SASPAC.
Z. Beqaj ishte nën hetim penal edhe për çështjen kriminale që lidhet 100 milionë eurot e koncesionit të sterilizimit.
Z. Beqaj u arrestua mëngjesin e të mërkurës së datës 4 korrik 2024, për një tjetër aferë të dyshuar korruptive.
Atë të abuzimit me fondet e Bashkimit Evropian, gjatë kohës kur ai drejtonte SASPAC (Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës).
MBI AKTET PROCEDURIALE PENALE NË NGARKIM TË Z. BEQAJ.
Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se shtetasi Ilir Beqaj në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim Ermal Kurtula i emëruar nga vetë personi nën hetim Ilir Beqaj në datën 26 Maj 2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive.
Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë të rreme më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.
Në hetimin e tyre SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë mundur të zbulojnë se urdhërues i këtyre procedurave fiktive që më pas përfunduan në gllabërimin apo tjetërsimin e fondeve të Bashkimit Europian ishte z. Beqaj, në këtë kohë në krye të zyrës së SASPAC, që merrej pikërisht me menaxhimin e këtyre fondeve.
Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkurruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që iu janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumente këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.
Njoftim | Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 07.2024, Nr. Regj.Them. 73, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: “1. Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosura për personat nën hetim; 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla, të dyshuar për veprat respektive; 3. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Bledar Leka dhe Bjona Ziaj, të dyshuar për veprat respektive; 4. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale për personin nën hetim Elton Marini, të dyshuar për veprën penale respektive”.
Në përfundim të gjykimit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenin 112, 228, 229, 230, 234, 237, 238, 248, 249, 260 të K.Pr.Penale dhe Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 7, datë 14.10.2011, me Vendimin Nr. 73, datë 06.07.2024.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ilir Hamid Beqaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ermal Xhemal Kurtulaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë publikë”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publike”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla.
Në referim të nenit 237, pika 1 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, të qëndrojë në banesën e tij me adresë: Rruga “Tish Daija”, Kompleksi “Kika 2”, Nd. 32, H4, Ap. 54, Nj. Adm. Nr. 5, Tiranë.
Në referim të nenit 237, pika 2 dhe 3 të K.Pr.Penale, kontrolli dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga shërbimet e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Elton Koli Marini, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 143/ 3 i Kodit Penal.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bledar Shpend Leka, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim” kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 143/2 i Kodit Penal.
Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bledar Shpend Leka, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bjona Bexhet Ziaj, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal, thuhet në njoftimin e GJKKO-së.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Commentaires