Tiranë, Shqipëri | Gjykata e Posaçme Kundër Korupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shqiptoi dënim penal me dy vjet heqje lirie punonjësin e OSHEE-së, Arjan Pashaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Z. Arjan Pashaj gjithashtu iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vjetësh.
Ai u akuzua se i mori ryshfet 270 mijë lekë të rinj z. Zef Gjelaj, pronar i një furre buke.
GjKKO shqiptoi dënim penal me 8 muaj heqje lirie edhe për z. Zef Gjelaj, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Njoftim | Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të procedimit penal me nr. 12/2024, në ngarkim të të pandehurit Arjan Pashaj, për akuzën “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 259 pragarafi i dytë i Kodit Penal dhe të pandehurit Zef Gjelaj për akuzën “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 244 pragarafi i dytë i Kodit Penal”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Elsa Ulliri, Irena Gjoka dhe Etleva Deda, me vendimin Nr. 68, datë 19.11.2024 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Arjan Pashaj për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Arjan Pashaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht dënohet me 2 ( dy vjet) vjet burgim.
Vuajtja e denimit fillon nga momenti i ndalimit datë 23.01.2024 dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 35/1 të Kodit Penal të pandehurit Arjan Pashaj i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Zef Gjelaj për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Zef Gjelaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim.
Vuajtja e denimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit në mënyrë solidare.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
Tiranë, më datë 19.11.2024, thuhet në njoftimin zyrtar.
Shënim: Çdo subjekt i përmendur në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin kombëtar procedurial penal dhe universal të prezumimit të pafajsisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, gjer në çastin kur ndaj tij, nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja, do të jepet një vendim penal, i formës së prerë.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments