Bremen, Gjermani | Qyteti gjerman i Bremenit ka vendosur të ndalojë përdorimin e një gjesti të dorës që përdoret për të thirrur për heshtje në klasa, për shkak të ngjashmërisë dhe krahasueshmërisë së tij me një gjest të përdorur nga ekstremistët nacionalistë turq Ujqërit gri.
Kështu shkruan enti mediatik Gardiani (The Guardian).
Gjesti i dhelprës së heshtur - ku dora imiton një kafshë me veshë të shpuar (gishtin e vogël dhe gishtin tregues) dhe një gojë të mbyllur (gishtat e mesit të shtypur pas gishtit të madh) - është parë prej kohësh si një mjet i dobishëm mësimor nga edukatorët në Gjermani dhe gjetkë.
Sinjalizon fëmijët se duhet të ndalojnë së foluri dhe të dëgjojnë mësuesin.
Por autoritetet e qytetit thonë se simboli është në rrezik të ngatërrohet me përshëndetjen e “ujqërve” ekstremistë nacionalistë turq.
Ky i fundit ishte kohët e fundit në qendër të një polemike diplomatike dhe sportive, kur futbollisti i kombëtares turke Merih Demiral e përdori atë për të festuar golin që shënoi në ndeshjen e 16-të të Turqisë kundër Austrisë në Kampionatin Europian në fillim të këtij muaji.
Megjithëse simboli nuk është i ndaluar në Gjermani siç është në Austrinë dhe Francën fqinje, përdorimi i tij u dënua nga ministrja e Brendshme Nensi (Nancy) Faeser, e cila tha se përdorimi i kampionateve të topakëmbsit (futbollit) si një platformë për racizmin ishte krejtësisht e papranueshme.
Pasi u thirrën ambasadori turk në Berlin dhe ambasadori gjerman në Ankara, organi drejtues i futbollit evropian UEFA vendosi një pezullim me dy ndeshje për topakëmbasin Demiral.
Protesta për skualifikimin e tij erdhën edhe nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan (Recep Tayyip Erdoğan), i cili e përkufizoi atë si një reagim të padrejtë dhe të njëanshëm.
Gjermania është shtëpia e rreth 3 milionë turqve etnikë, të cilët përbëjnë pakicën më të madhe të vetme të vendit dhe formojnë diasporën më të madhe turke në mbarë botën.
Znj. Petrishë (Patricia) Brandt, zëdhënëse e autoritetit arsimor të Bremenit, tha se kuptimi politik i gjestit të dorës është absolutisht i papajtueshëm me vlerat e qytetit të Bremenit, duke specifikuar se ndalimi i tij ishte tashmë në diskutim para çështjes së Kampionatit Europian.
Por ajo shtoi se gjithnjë e më shumë mësues e konsiderojnë gjestin të vjetëruar nga ana pedagogjike gjithsesi.
“Përshëndetja e dhelprës” është simboli dhe logoja identifikuese e Ujqërve Gri, të konsideruar si një grup ekstremist i krahut të djathtë dhe ka një numër të vlerësuar prej 20000 anëtarësh në Gjermani dhe shumë të tjerë jashtë vendit.
Të përshkruar nga analistët si nacionalistë radikalë dhe islamikë, ata shprehin urrejtje ndaj kurdëve, hebrenjve, të krishterëve, armenëve, grekëve, BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.
Ndërkombëtarisht, emri i tyre mbetet i lidhur me përpjekjen për të vrarë Papa Gjon Palin II, në 1981.
Nga z. Erton Duka.
© Copyright | Agjencia Telegrafike Vox
Ne të njohim me botën | www.007vox.com | Burimi yt i informacionit
Comments